PAS SHORTIT PËR BOTËROR

Vetëm me Lihtenshtajnin bilanc pozitiv!
Shkruan: Lis Dorambari
25 July, 2015 @22:04
Kombëtarja e Shqipërisë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, krahas superfuqive botërore si Spanja dhe Italia, do të përballet edhe me Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtajnin.
Ky i fundit, është kundërshtari i vetëm i grupit të Shqipërisë, me të cilin kuqezinjtë kanë bilanc pozitiv nga ndeshjet e mëparshme të zhvilluara deri më sot.
Kundërshtarët e grupit të Shqipërisë.
Në të vërtetë Shqipëria me Lihtenshtajnin është përballur vetëm një herë deri më sot, në gusht të vitit 2008, kur e kishte mposhtur në miqësore me rezultat 2-0 me golat e Jahmir Hykës dhe Edmond Kapllanit.
Italia, kundërshtar i freskët
Kundërshtari më i freskët mund të quhet Italia. Vetëm tetë muaj më parë, përkatësisht më 18 nëntor 2014, Shqipëria e zhvilloi ndeshjen e parë në historinë e saj përballë përfaqësueses së Italisë.
Në këtë ndeshje ndodhën gjëra të çuditshme, pasi tifozët e shumtë shqiptarë që i kishin mbushur tribunat e stadiumit në Gjenovë, filluan të zbarkonin në fushë, për t’i parë nga afër ‘idhujt e tyre’, pra futbollistët e kombëtares shqiptare.
Italia, kundërshtari i grupit të Shqipërisë në kualifikimet për Botëror. Pamjet nga ndeshja e fundit Itali - Shqipëri pic.twitter.com/22ujSs5F4Z
— Borozani.com (@Borozani) July 25, 2015
Në fund fitores iu gëzua Italia, duke triumfuar me rezultat 1-0 me golin e vetëm nga Stefano Okaka. Megjithëse kuqezinjtë treguan lojë të bukur, kjo ishte e pamjaftueshme për ta mposhtur Italinë e Antonio Contes, që kishte bërë një përzgjedhje me shumicë të lojtarëve jo titullarë për këtë ndeshje.
Raporti i ndeshjes Itali - Shqipëri.
Me Spanjën, më së keqi!
Bilancin më të keq me kundërshtarët e grupit, Shqipëria e ka kundër ish kampionit të Botës më 2010, Spanjës.
Nga pesë ndeshjet e zhvilluara deri më sot, Shqipëria ka pësuar po aq humbje, derisa të gjitha këto ndeshje janë zhvilluar në vitet 80-ta dhe 90-ta.
E fundit ka qenë humbja me rezultat 1-5 në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 1994, derisa humbja më e thellë është ajo e vitit 1990 kur u mposhtëm me rezultat 9-0.
Në përgjithësi, përballë 24 gola të pësuar nga spanjollët në këto pesë ndeshje, kemi arritur të shënojmë vetëm dy herë, me anë të Shkëlqim Muçës, trajnerit të tashëm të Flamurtarit, dhe Sokol Kushtës.
Nuk qëndrojmë mirë as me shtetin fqinjë, Maqedoninë, e cila gjendet plotë 69 vende më poshtë se Shqipëria në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.
Kundër Maqedonisë deri më sot jemi takuar plotë tetë herë, duke regjistruar vetëm një fitore përballë katër humbjeve, derisa tre ndeshje të tjerë kanë përfunduar me barazim.
Fitorja e vetme u arrit më 1999 në miqësore, të cilën e fituam me rezultat 2-0, kurse ndeshja e fundit e cila ishte zhvilluar në nëntor të vitit 2011 në Prilep, kishte përfunduar pa gola.
Golashënuesi shqiptar në portën kuqezi!
Gjatë këtyre ndeshjeve, Nexhmedin Memedi është bërë futbollisti i vetëm me prejardhje shqiptare që i ka shënuar Shqipërisë me fanellën e Maqedonisë.
Te përfaqësuesja e Maqedonisë edhe sot luajnë futbollistë shqiptarë si Arijan Ademi, Agim Ibraimi dhe Ferhan Hasani, të cilët janë shtyllat kyçe të ekipit.
Ndryshe nga kundërshtarët e lartpërmendur, historia me përfaqësuesen e Izraelit do të shkruhet nga zeroja. Kuqezinjtë nuk janë përballur kurrë më parë me ekipin izraelit dhe ndeshjen e parë me ta pritet ta zhvillojnë pikërisht në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror Rusia 2018.
Të gjitha rezultatet deri më sot me kundërshtarët e grupit
1 | 3 dhjetor 1986, Tiranë | Shqipëria - Spanja 1-2 | Golat: Shkëlqim Muça - Arteche, Joaquin | Kualifikimet Euro 1988 |
2 | 18 nëntor 1987, Sevilje | Spanja - Shqipëria 5-0 | Golat: Bakero II x3, Michel, Paco Llorente | Kualifikimet Euro 1988 |
3 | 19 dhjetor 1990, Sevilje | Spanja - Shqipëria 9-0 | Golat: Amor, Carlos x2, Emilio Butragueno x4, Hierro III, Bakero II | Kualifikimet Euro 1992 |
4 | 22 prill 1992, Sevilje | Spanja - Shqipëria 3-0 | Golat: Michel x2, Hierro III | Kualifikimet Botërori 1994 |
5 | 22 shtator 1993, Tiranë | Shqipëria - Spanja 1-5 | Golat: Sokol Kushta - Julio Salinas x3, Toni, Caminero | Kualifikimet Botërori 1994 |
6 | 14 maj 1994, Tetovë | Maqedonia - Shqipëria 5-1 | Golat: Memedi, Vančo Micevski x2, Zoran Boškovski, Marjan Stojkovski - Altin Rraklli | Miqësore |
7 | 10 shkurt 1999, Tiranë | Shqipëria - Maqedonia 2-0 | Golat: Rudi Vata, Erjon Bogdani | Miqësore |
8 | 26 prill 2000, Prilep | Maqedonia - Shqipëria 1-0 | Golat: Žarko Serafimovski | Miqësore |
9 | 5 janar 2002, Riffa, Bahrein | Shqipëria - Maqedonia 0-0 | - | Turne ndërkombëtar |
10 | 20 gusht 2003, Prilep | Maqedonia - Shqipëria 3-1 | Golat: Ilčo Naumovski, Goran Pandev, Dragan Dimitrovski - Ervin Skela | Miqësore |
11 | 7 shkurt 2007, Shkodër | Shqipëria - Maqedonia 0-1 | Golat: Stevica Ristić | Miqësore |
12 | 20 gusht 2008, Tiranë | Shqipëria - Lihtenshtajni 2-0 | Golat: Jahmir Hyka, Edmond Kapllani | Miqësore |
13 | 17 nëntor 2010, Korçë | Shqipëria - Maqedonia 0-0 | - | Miqësore |
14 | 15 nëntor 2011, Prilep | Maqedonia - Shqipëria 0-0 | - | Miqësore |
15 | 18 nëntor 2014, Gjenovë | Italia - Shqipëria 1-0 | Golat: Stefano Okaka | Miqësore |