VËLLAZNIMI - DRENICA
Visar Berisha nxjerr Drenicën me pikë nga Gjakova
29 October, 2017 @14:58
Në praninë e afro 2000 shikuesve, Vëllaznimi e Drenica barazuan me rezultat 1-1, në një takim i cili prodhoi nga një gol për secilën pjesë.
Të parët në epërsi kaluan gjakovarët me golin e Semir Zenelit pak para fundit të pjesës së parë. Lojtari në fjalë shënoi pas një pakujdesie në mbrojtjen mysafire dhe i dha epërsinë vendasve.
Përveç golit të shënuar, pjesa e parë në përgjithësi ishte e plogësht, ndërsa për t’u veçuar është vetëm shtylla e Tahirit të mysafirëve në minutën e 9’ të ndeshjes dhe një goditje e Lorik Rudit të vendasve nga distanca.
Epërsia e gjakovarëve u ruajt deri në minutën e 88’ të takimit, moment në të cilin Visar Berisha i Drenicës shënoi për 1-1 nga afërsia dhe ia mohoi fitoren Vëllaznimit, skuadër kjo që para golit të pësuar kishte rast që ta mbyllte takimin, por vulosja e fitores nuk u bë dhe skuadra e drejtuar nga Munishi u ndëshkua.
Ky barazim e ndal hovin e gjakovarëve drejt pozitave të epërme të Superligës, kurse Drenica mbetet edhe më tutje në një pozicion që dërgon në barazh.