MILOT RASHICA
Werderi cakton çmimin e Rashicës
4 December, 2019 @15:14
I transferuar te Werderi në janar të vitit të shkuar nga Vitesse për 7 milionë euro, Milot Rashica është bërë pjesë e pandashme e formacionit startues të Werder Bremenit në Gjermani.
Anësori vushtrrias këtë sezon në 11 paraqitje për këtë skuadër ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 3 asistime, duke tërhequr vëmendjen e disa top klubeve në Gjermani dhe Evropë.
E kjo ka bërë që Werderi t’ia caktojë çmimin kartonit të lojtarit, çmim të cilin skuadrat e interesuara duhet ta paguajnë për shërbimet e tij.
Çmimi i vendosur nga klubi i Werderit për Rashicën është mes 40 dhe 50 milionë eurove, raportojnë mediat gjermane, shitje që do të ishte rekorde për klubin në fjalë, pasi që rekordin momental e mban transferimi i brazilianit Diego në verën e vitit 2009 prej Werderit në Juventus, transfer që kushtoi 27 milionë euro.
Sipas mediave të ndryshme, raportohet se interesim për Milotin kanë Dortmundi e Benfica, mirëpo nuk përjashtohet edhe interesimi i skuadrave të tjera evropiane.