MEDIA TALK

Yjet e Realit dhe Barçës opcion për Inter Miamin e Beckhamit
7 May, 2020 @16:14
Pronari i ekipit të ri në Major League Soccer (MLS) të SHBA-ve, David Beckham, thuhet të jetë në bisedime me futbollistë të Real Madridit dhe të Barcelonës për të përforcuar ekipin e tij.
Fillimisht është bërë e ditur se Gareth Bale dhe James Rodriguez nuk janë të interesuar të punojnë nën urdhërat e Zinedine Zidane-it te Real Madrid, që ka shtuar mundësinë e përfoljeve për të qenë pjesë e Interit të Miamit.
Raportohet se Beckham tashmë ka folur me dyshen e madrilenëve dhe i ka treguar për kushtet dhe klimën ideale që mbretëron në pjesën jugore të Floridës së SHBA-ve.
Në të njëjtin artikull thuhet që ish ylli i Manchester Unitedit, Real Madridit, Milanit dhe LA Galaxy, është në kontakt edhe me kilianin Arturo Vidal, që luan aktualisht për Barcelonën.
Përndryshe në stinorin 2020 që posa kishte filluar në SHBA, ekipi i Beckhamit Inter Miami në dy ndeshjet e para pësoi dy humbje, pas së cilës skuadrat dhe lojtarët ndërprenë aktivitetet për shkak të pandemisë COVID-19.