LIRIA - VËLLAZNIMI
Zëvendësimet e qëlluara, Vëllaznimi del me pikë nga Prizreni
24 October, 2017 @15:27
Me një takim shumë interesant dhe me 4 gola të shënuara është hapur xhiroja e XII e Superligës së Kosovës në futboll. Dy rivalët e vjetër, Liria e Vëllaznimi, zhvilluan një takim mjaft atraktiv përkundër motit me shi, e në fund të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë. Për t’u përmendur është fakti që përkundër motit jo të mirë, të pranishëm në stadium kishte edhe tifozë të Lirisë, por edhe tifozë të Vëllaznimit që kishin udhëtuar nga Gjakova për këtë duel.
Epërsia e prizrenasve erdhi nga Meriton Korenica, i cili shënoi nga pika e bardhë pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi Bardhoku i vendasve. Kreator i golit të dytë të Lirisë ishte përsëri Korenica, i cili e shfrytëzoi një gabim të brazilianit De Deus të vendasve dhe asistoi për Artur Maganin, i cili me kokë shënoi për 2-0. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Kur u mendua që Liria po shkonte drejt një fitoreje të lehtë, ishte skuadra e Vëllaznimit që mendoi ndryshe. Gjithçka filloi me 3 zëvendësimet e qëlluara të Ismet Munishit, i cili me të filluar pjesa e dytë inkuadroi 3 lojtarë, duke larguar 3 të tjerë dhe ishin pikërisht të inkudruarit Granit Osmanollaj, Jeton Dushi dhe Paulo Ivani ata që i dhanë energji lojës së gjakovarëve.
Epërsia fillimisht u ngushtua nga penalltia e Albutrint Morinës në minutën e 65’, e dy minuta më pas për 2-2 u përkujdes Semir Zeneli, i cili shënoi pas krosimit të Lorik Rudit. Ky i fundit zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë si mbrojtës i djathtë, krah nga i cili Vëllaznimi rrezikoi edhe në minutat e fundit të ndeshjes, mirëpo fillimisht Shala gaboi me kokë para portës së prizrenasve e më pas goditja tjetër e Ivanit u ndal nga shtylla, duke bërë që gjakovarët përkundër dominimit në pjesën e dytë, të mbeten të kënaqur me një pikë.
Këto ishin golat e para të pranuara nga Liria në shtëpi sivjet, ndërsa gjithashtu kjo skuadër pëson gol pas 5 ndeshjeve (afërsisht pas 545 minutave lojë).
Sa i përket renditjes, ky barazim e ndal hovin e Lirisë drejt kreut, derisa Vëllaznimi ndodhet në vendin e 7 me 17 pikë.