TEAM OF THE HALFSEASON 18/19
11-shja e pjesës vjeshtore të Superligës nga TopSporti
Shkruan: Shpend Thaçi
21 December, 2018 @13:02
Stinori 2018/19 i Superligës së Kosovës u përcjellë me një rivalitet të ashpër për kreun e tabelës.
Gjysma e stinorit që përfundoi u karakterizua me të pritura dhe të papritura të shumta.
Feronikeli e Prishtina
Feronikeli filloi mbrapshtë kampionatin me Sulejman Starovën, pastaj u rimëkëmbë duke e shkarkuar atë dhe duke e rikthyer në bankë Zekirija Ramadanin, që arriti të konsolidonte skuadrën, duke e kryer detyrën që e kishte marrë përsipër me sukses.
Edhe Prishtina filloi sezonin me kontestime ndaj trajnerit për shkak të humbjes së “Superkupës” ndaj Dritës dhe rezultateve çaluese të Mirel Josës. Por ky i fundit me kohë gjeti kiminë e duhur brenda skuadrës dhe në fund, përfundimin e vjeshtës e kurorëzoi në vend të parë në një garë të egër me Feronikelin. Këto dy skuadra i ndan vetëm një pikë, në favor të bardhekaltërve.
Të ardhurit
Skuadrat e inkuadruara nga Liga e Parë hasën në vështirësi enorme për t’u konsoliduar. Ferizaji u organizua vonë dhe përforcimet i siguroi në afatin e fundit kohor. Me kohën që kishte në dispozicion dhe me xhirot që kalonin, rendimenti i tyre në fund të pjesës vjeshtore ishte solid.
KEK-u vazhdoi avazin e trashëguar nga shumë ekipe në çdo sezon të Superligës, që shpërbëhen në organizim në nivel bordesh të klubeve dhe më pastaj kjo në fushë reflekton me rënie të lirë, që skuadrave tjera u jep komoditet për t’a rregulluar golaverazhin ndaj tyre.
Ndërsa, e fundit nga të promovuarit në Superligë, Ballkani, hyri me shumë ambicie, afrim të lojtarëve, por edhe me një eufori që kulmoi me dorëheqje trajnerësh dhe zhgënjime.
Zhgënjimet
Për fund, skuadrat që zhgënjyen disi ishin Drita, Trepça’89 dhe Llapi. Këto patën peripeti të ndryshme gjatë 17 xhirove, me probleme në kryesi apo shtab teknik.
Tjerët
Tre të tjerat, Drenica, Liria dhe Gjilani, nuk është se dolën jashtë trajektores së parashikimeve të fillim-stinorit, nëse marrim parasysh cilësinë në organikat e skuadrave respektive.
Më të mirët
Kjo sa i përket analizës së shkurtër në nivel skuadrash. Por, kush ishin më të spikaturit? Cilët lojtarë treguan formën më të mirë në 17 xhirot përkatëse? Cilët u dalluan më së shumti?
Për t’i vënë “kapak” këtyre pyetjeve, si redaksi jemi munduar ta bëjmë përzgjedhjen tonë të 11 lojtarëve me rendimentin më të mirë në kampionat, përgjatë stinorit vjeshtor që posa e lamë pas.
Formacioni do të përmbajë skemën 4-2-3-1, ndërsa në vazhdim, ditë pas dite do t’i publikojmë dhe do të mundohemi t’i arsyetojmë përzgjedhjet tona. Qëndroni me TopSporti.com për të parë më të mirët së shpejti. 11-shja e pjesës vjeshtore të stinorit po vjen…