Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DURAKU BARAZON NË FUND!

2 Korriku në kohën shtesë lë Munishin pa fitore në start

Foto: 2korriku.com

2 Korriku në kohën shtesë lë Munishin pa fitore në start


Teksti: 2korriku.com

20 August, 2023 @11:06

Garat zyrtare në rangun e dytë në futbollin kosovar filluan më në fund, me pritjen që mbaroi e me spektaklin që kaloi në fushën e blertë të stadiumit, aty ku skuadrat zbritën sot më 19 Gusht 2023 dhe u pritën nga qindra shikues të ulur në tribunën lindore që po ndërtohet në stadiumin “2 Korriku” në kryeqytet.

2 Korriku si skuadër vendëse, edicionin e ri garues e nisi përballë ekipit të rikthyer në Ligën e Parë, Ferizajt, në stadiumin “2 Korriku” në kryeqendrën e vendit tonë.

Dueli në Arbëri dha shumë, sidomos për nga rastet, me pjesën e parë që i takoi tërësisht ekipit nga Ferizaj, që qysh në minutën 10′ rrezikoi me qendërsulmuesin Babaei, por goditja e të cilit u prit nga portieri Neziri, që sot, siç edhe zakonisht ndodh, ishte në nivel të detyrës.

Ferizaj dominimin e vazhdoi me mbajtjen e topit, ndërsa rrezikun e radhës sikur e kishte “ruajtur” për minutën 26’, kur kapiteni Sadriu goditi fuqishëm topin e larguar nga mbrojtja vendëse, mirëpo e njëjta shkoj pakëz mbi portë dhe kështu nuk u ndryshuan shifrat deri në fund të fraksionit të parë.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime, jo në formacione, por në mënyrën e të luajturit, me 2 Korrikun që lehtë pati e pati mundësinë për të kaluar në avantazh, por goditjen e shtatgjatit Gashit e priti portieri Jovanovski me shumë vështirësi.

2 Korriku 2023-24 starters

Pas këtij rasti ndeshja sikur mori ritëm tjetër, me ekipet që filluan ta kërkojnë golin më shumë, dhe kjo gjë pati efekt vetëm tre minuta më pas, kur mesfushori Arlind Shabani me kokë shënoi për 0:1, pasi shfrytëzoi vendosjen jo të mirë të mbrojtjes së ekipit “verdheblu”.

Goli i pranuar sikur e motivoi ekipin e 2 Korrikut, që filloi sulmet, e në anën tjetër, si për çudi, nga radhët e Ferizajt kishte futbollistë që shumë herët e filluan të ashtuquajturën “zhagitje të lojës”.

Ekipi i drejtuar nga Besim Ademi ishte afër që ta barazoi rezulatin, kur harkimin e Durakut për pak sa nuk e dërgoi në portën e tij njëri prej mbrojtësve mysafirë.

Shumë pak çaste nga ky rast, gol për pak sa nuk shënoi edhe Shqiprim Kelmendi, debutuesi i sotëm që goditi bukur me të djathtën, por në vend ishte Jovanovski, që njëkohësisht ishte ndër më të mirët e ekipit të Munishit në përballjen e sotme.

TABELA AKTUALE

Pas dominimit të lehtë disa-minutësh të 2 Korrikut, radha për të dalur “në skenë” ishte për ekipin mysafir, që me Babaein tentuan për t’i dyfishuar shifrat, por sërish në vend ishte Neziri që me sukses e priti goditjen e tij.

E kur nuk shënon, në futboll zakonisht pëson. Gjëja e tillë ndodhi edhe sot. Luheshin minutat shtesë kur Kelmendi me mjeshtëri doli në rast e goditi, por topin e tij e dëboi në goditje nga këndi portieri Jovanovski. Po nga kjo goditje këndi erdhi goli i barazimit; harkimi fantastik i mesfushorit Prekopuca u kthye në gol në mënyrën më të mirë të mundshme nga Enes Duraku, futbollisti “shpërthyes” që ndeshjes fantastike të zhvilluar sot, ia dha “vulën” me golin që ekipit të tij ia siguroi pikën e parë në edicionin e ri.

“Nuk e treguam lojën tonë më të mirë, por nuk u dorëzuam. Shumë mirë ndihem me faktin se ekipi tentoi deri në fund, dhe e arritëm të paktën një pikë. Është fillimi dhe me kalimin e kohës do të përmirësohemi edhe më shumë”, theksoi menjëherë pas ndeshjes kryetrajneri Besim Ademi, i cili sot iu dha mundësinë për t’u paraqitur në ndeshje plot 5 debutuesve (Edon Zeçirit, Enes Durakut, Ardit Gashit Albert Stubllës e Shqiprim Kelmendit).

Viva Fresh Liga e Parë- Xhiro I

2 Korriku – Ferizaj 1:1 (0:0)

Golashënues: Enes Duraku 90’+6’; Arlind Shabani 55’

Gjyqtarët e ndeshjes: Festim Dogani, Gentrit Restelica, Fatbardh Rrahimi

Delegati i FFK-së: Tahir Kabashi

Vëzhguesi i referimit: Safet Berisha

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Riad Jashari (Albert Stublla 60’), Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./ (Ylli Prekopuca 79’), Arjol Bllaca, Edon Zeçiri (Redon Bejta 79’), Enes Duraku, Ardit Gashi, Gneilpekan M. Camara (Shqiprim Kelmendi 60’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Ferizajt: Marko Jovanovski, Ergon Hyseni, Behar Bardhi, Filip Gligorov, Edon Sadriu /kap./ (Blend Topalli 77’), Arlind Shabani (Egzon Qerimi 56’), Qlirim Avdulli (Planet Veseli 77’), Enis Sefa (Enhar Cakolli 84’), Erion Sadriu (Norik Krasniqi 56’), Gentrit Ramusa, Ali Babaei. Kryetrajner: Ismet Munishi.

 

2 Korriku 1-1 Ferizaji [Enes Duraku 90+5 - Arlind Shabani 55]


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë