UEFA DËNON HUNGAREZËT

Fotot: FSHF & MLS/ Official
200 mijë franga gjobë dhe ndaj Shqipërisë me dyer të mbyllura
21 September, 2021 @23:05
Ndoshta fati i Shqipërisë në kualifikime për Botëror mund të vendoset në muajin tetor, kur janë dy ndeshjet më të rëndësishme të kuqezinjëve.
Derisa kuqezinjtë i shkojnë Hungarisë më 9 tetor, presin Poloninë më 12 tetor. E udhëtimi në Hungari pritet të jetë shumë më i lehtë në fushë për të përzgjedhurit e Edy Rejas, pasi që ata kanë marrë dënimin e ashpër nga UEFA për shkak të ofendimeve raciste të publikut drejtuar ndaj Anglisë në përballjen e fundit zhvilluar në Hungari, ku Anglia fitoi 0-4.
Hungaria është dënuar që dy ndeshjet e radhës t’i luajë nën dyert e mbyllura, pra pa publik, ndërsa Federata është gjobitur me 200 mijë franga zvicerane për brohoritjet e tifozërisë së ekipit kombëtar në përballjen e 2 shtatorit.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE drejt “KATARI 2022”
Shqipëria është mysafirja e parë e Hungarisë ku do të zbatohet dënimi “me dyert e mbyllura”. E kur dihet rëndësia e tifozërisë hungareze, që është parë qartë në EURO 2020 në ndeshjet e zhvilluara në Budapest, atëherë nuk ka se si mos të thuhet se kjo do të jetë avantazh për kuqezinjtë.
Kombëtarja shqiptare aktualisht është e dyta në Grupin I kualifikues për Botërorin “Katar 2022”. Përballjet ndaj Polonisë dhe Hungarisë llogariten si vitale për kuqezinjtë, pasi që Anglia duket larg për tu kapur, ndërsa pozita e dytë dërgon në PlayOff (barazh) për kualifikim.
Nëse Shqipëria kalon ndeshjet e tetorit me gjashtë pikë, atëherë në nëntor do të luajë ndaj Anglisë (që pritet të ketë siguruara kualifikimin deri atëherë) dhe Andorrës.
Kujtojmë, Shqipëria më 5 shtator shënoi fitoren e parë në histori të saj ndaj Hungarisë dhe njëkohësisht regjistroi edhe golin e parë ndaj hungarezëve, pasi që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE drejt “KATARI 2022”
Kuqezinjtë fituan në Elbasan Arena 1-0 me golin e shënuar nga sulmuesi i Southamptonit, Armando Broja.