DRITA - GJILANI
4 gola, 3 përjashtime, por pa fitues në derbin e Gjilanit
17 March, 2024 @14:58
Pa fitues në derbin e Anamoravës, që edhe këtë herë u luajt në një stadium aspak dinjitoz.
Takimi në fjalë mes Dritës e Gjilanit u mbyll 2-2 (Blend Baftiu 24’, Albert Dabiqaj 55’ / Edi Basha 32’, Qëndrim Ismajli 44’).
Ndeshja ishte mjaft interesante dhe dhuroi plot 4 gola e 3 kartonë të kuq.
I asistuar nga Ensar Huruglica, i pari golin në këtë takim e gjeti Blend Baftiu në minutën e 24’ për epërsinë fillestare të Dritës.
Më pas, gjilanasit u rikthyen fuqishëm falë Edi Bashës në super-formë. Kroati fillimisht shënoi për 1-1, e më pas asistoi te goli i Qëndrim Ismajlit, për ta çuar Gjilanin në pushim mes pjesëve me epërsi 1-2.
Goli i barazimit të ndeshjes nuk vonoi shumë. Daljen jo të mirë të Aridon Bllacës, maksimalisht e shfrytëzoi Albert Dabiqaj, ish-futbollisti i Gjilanit, i cili shënoi me kokë për 2-2. Asistues te ky gol ishte Almir Ajzeraj.
Menjëherë pas golit të barazimit që u shënua nga Albert Dabiqaj, Drita humbi Almir Ajzerajn, që u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve (58’) dhe kjo ia vështirësoi gjërat Dritës në vazhdim të ndeshjes.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Gjilani humbi dy lojtarë për shkak të përjashtimeve. Fillimisht u përjashtua Dajan Shehi pas dy të verdhëve (90’), e në kohën shtesë në mënyrë të njëjtë u përjashtua edhe Edison Kqiku.
Gjithsesi, më ndryshim të rezultatit nuk pati që nga goli i Dabiqajt dhe ndeshja u mbyll me barazim 2-2.
Në pushim të kombëtareve, Drita shkon duke qenë 2 pikë larg kreut, kurse Gjilani e sheh veten jashtë zonës së barazhit.