HAZROLLAJ E BRRUTI - SHKËLQEJNË
Malisheva në formë, kryen detyrën në Prizren
16 March, 2024 @19:44
Pa shumë probleme, Malisheva ka vazhduar me formë të mirë në Superligë, ndërsa ka shënuar fitoren e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit në elitë, duke e fituar pritshëm Lirinë sot në Prizren me tre gola dallim.
Liria që tashmë me një hap është në Ligë të Parë, nuk u tregua për të bërë diçka më shumë ndaj Malishevës, ndërsa ekipi i Qëndrim Kidës ka parakaluar me futbollistët e dalluar të saj si realizes sot, për fitoren Liria - Malisheva 0-3 [Drilon Hazrollaj 13’, Etnik Brruti 70’, Agon Xhaka 86’].
Hazrollaj hapi në fillim të ndeshjes serinë e golave për malishevasit, pasi u asistua nga Etnik Brruti. Me golin e tij të 18-të sezonal Hazrollaj tashmë bashkëkryeson listën e golashënuesve të Superligës me Muhamet Hysenin e Llapit.
Brruti ndërkaq në pjesë të dytë, pas një goli të anuluar nga VAR, shënoi në minutën e 70 për qetësi, kurse krejt në fund ka qenë Agon Xhaka që vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes (86’).
Liria prej minutës së 49 të ndeshjes luajti me një lojtar më pak, pasi që Edmond Likaj mori kartonin e dytë të verdhë, ndërsa kishte një rast të mirë minutën e dytë dhe një tjetër në minutën e 64 të ndeshjes me Aldi Gjumsin - por pa sukses.
Malisheva me fitoren e 15 kampionale në vend të katërt, tashmë ka 47 pikë në llogari dhe është shumë afër treshes kryesuese - që do të thotë se ekipi i Kidës do të shtyejë ende luftën për një vend në garat evropiane. Në anën tjetër Liria me një pikë të vetme të fituar në pranverë dhe shtatë humbje është e fundit në renditje (e dhjeta) me dhjetë pikë të tubuara gjatë gjithë stinorit - e edhe vetë trajneri i ekipit Ali Gunes tashmë e ka quajtur “mrekulli” nëse do të mund të shpëtojë skuadra pa rënë nga elita.
Xhiron që vjen, Liria është mysafire e Llapit, ndërkaq Malisheva pret Dritën në derbi. Xhiroja e XXVII luhet pas pushimit që kanë skuadrat për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.