FUSHË KOSOVA - BALLKANI
4 ndeshje pa humbje, Fushë Kosova mposhtë edhe kampionin
13 March, 2024 @15:22
Forma fantastike e Fushë Kosovës në pranverë vazhdon.
Pasi e mposhti Dritën dy xhiro më parë, Fushë Kosova sot e ka mposhtur edhe Ballkanin, e në total ka shkuar në 4 ndeshje radhazi pa humbje dhe gjithashtu 4 ndeshje pa pranuar gol, duke shtuar edhe më tutje shpresat për shpëtim.
Skuadra e drejtuar nga Burim Shala takimin e sotëm ndaj kampionit në fuqi e fitoi 2-0 (Alden Skrijelj 11’, 53’).
Ndonëse në mungesë të sllovenit Ivkic për shkak të suspendimit, paraqitja e Fushë Kosovës në mbrojtje ishte fantastike, me mbrojtësin e djathtë Ardi Ajdini që sot kaloi në qendër të mbrojtjes dhe luajti mjaft mirë krah për krah me Nasuf Berishën.
Të dy golat e Fushë Kosovës u shënuan nga Alden Skrijelj. Goli i parë erdhi pas një gabimi të Armend Thaqit të mysafirëve në minutën e 11’, e goli i dytë u shënua nga Skrijelj me portën e zbrazur pas topit të kthyer nga goditja fantastike e Lis Demirit nga distanca.
Fitorja e shënuar sot i jep shpresë për shpëtim Fushë Kosovës, që për momentin është 6 pikë larg pozitës që dërgon në barazh, kurse Ballkani do ta mbyllë edhe këtë xhiro në krye, pasi që Llapi gjithashtu pësoi humbje këtë xhiro.