MALISHEVA - LLAPI
Fitore ndaj Llapit, Malisheva fuqishëm në garë për Evropë
13 March, 2024 @15:11
Humbja e parë e Llapit në pranverë ka ardhur nga Malisheva në “Liman Gegaj”.
Skuadra e Batatinës këtë takim e humbi 2-1 (Drilon Hazrollaj (P) 27’, 48’ / Ahmed Januzi 51’), duke mos mundur kështu ta shfrytëzojë gabimin e Ballkanit këtë xhiro, që gjithashtu pësoi humbje.
Ndeshja nuk filloi mirë për Malishevën, që humbi portierin Flamur Gashi për shkak të lëndimit. Gashi u detyrua të largohet nga loja rreth minutës së 18’, por për fatin e mirë të malishevasve, portieri Hadis Velii i inkuadruar nga banka rezervë zhvilloi një ndeshje fantastike.
Ishte i zakonshmi Drilon Hazrollaj ai që shënoi për 1-0 nga pika e bardhë në minutën e 27’. Ky ishte goli i vetëm i shënuar në pjesën e parë, ndonëse Llapi kishte tri mundësi mjaft të mira për shënim.
Me të filluar pjesa e dytë, Drilon Hazrollaj e dyfishoi epërsinë vendase, duke shënuar mjeshtërisht me të majtën për 2-0. Ky ishte goli i 17 personal i Hazrollajt në këtë sezon të Superligës.
Mirëpo, vendasit e ngushtuan rezultatin dhe e hapën ndeshjen pak minuta më vonë. Pas rishikimit me VAR, Ahmed Januzit iu pranua goli dhe rezultati i ndeshjes u ngushtua në 2-1 (51’).
Megjithatë, përkundër trysnisë në vazhdim të ndeshjes, Llapi nuk arriti të bëjë dot më tepër dhe u detyrua të pajtohet me humbje, të parën këtë pranverë.
Humbja e sotme bën që Llapi t’i japë mundësi Dritës që t’i afrohet në renditje, kurse Malisheva e Qëndrim Kidës e sheh veten të futur fuqishëm në garën për Evropë, duke qenë vetëm 2 pikë larg vendit të tretë.