ANALIZË
5 derbi të fundjavës
Shkruan:LUAN MORINA
21 October, 2017 @11:43
1. Chelsea – Watford (e shtunë, ora 1e30)
Conte nuk është i mësuar me ndryshime. Lëndimi i Moratas ka dëmtuar keq sulmin dhe Batshuayi nuk mund ta zëvendësoj atë. Deri në kthimin e tij ndoshta mund të jetë vonë për italianin. Gjasat për të përsëritur sezonin e kaluar janë të pamundura.
Humbja nga Crystal Palace, barazimi me Romën, vetëm sa mund të shtojnë presionin për një fitore të pakontestueshme ndaj Watfordit. Mysafirët nën Marcos Silvan, përkundër lëndimeve të shumta,përfshirë shtyllat kryesore të mbrojtjes, kanë arritur të ngjitin veten lart në tabelë duke larguar për momentin si opsion rënien nga liga.
Është një ndeshje më e vlefshme për Chelsean dhe Conten se sa për Watfordin. Prandaj, presioni do të duhej të ishte mbi vendasit. Gol në minutat e hershme mund të ndryshonte krejt kahun e ndeshjes.
2. Valencia – Sevilla (e shtunë, ora 6e30)
Valencia e ka seriozisht sfidën e kryesuesve. Titulli i kampionit në Spanjë është çështje e mbyllur qysh para fillimit, sidomos këtë sezon me Barcelonën larg mbi tjerat, jo veç në renditje por edhe në nxjerrjen e rezultateve pozitive në paraqitjet nën gradën e tyre. Guedes ka qenë prurje e mençur, Zaza ka gjetur golin vazhdimisht me Rodrigon, Kondogbia është kthyer në shtyllë të mesfushë ku ka edhe Solerin mbi të gjithë. Mbrojtja ka qenë në nivel, e pajisur me disa talente tejet interesante.
Në anën tjetër Sevilla me kthimin e Kjaer ka humbur N’Zonzin. Humbja e thellë në Moskë do të duhej të shërbente një këndellje, dhe Valencia është skuadra e fundit e cila do të mund të ofronte një qetësi për diçka të tillë.
Është mirë që liga spanjolle mund të na ofroj derbi ndeshje ku nuk përfshihen vetëm dy skuadrat klasike.
3. Napoli – Inter (e shtunë, ora 15n9)
Lodhja do të godet këto ekipe më së voni një muaj nga tani. Interin për dallim prej vitit të kaluar e shpëton mungesa në Evropë. Udhëtime, ndeshje kundër ekipeve të mëdha, në krahasim me tri ditë shtesë stërvitje dhe pushimi nga ajo pjesa logjistike, patjetër se do të jetë bonus.
Kanë mungesë të trashësisë së ekipit. Kanë ardhje të vonshme dhe lojtarë të lënduar, por janë stabilizuar në disa pozita kyçe. Akoma më duket larg mendjes vendosja në bankë rezervë e Gagliardinit në krahasim me Borjan e edhe Vecinon. Brozovic ka pasur sezon të mirë, bashkë me Perisicin deri tani.
Një fitore në Napoli do të ngurtësonte vetëbesimin e lëkundur në krye. Ndërkohë loja e Napolit është art. Duhet ta shihni që ta shijoni. Sarri me mençuri ka nisur të bëj rotacione këto ndeshjet e fundit. Nëse ia arrin të bëj këtë pa prishjen e harmonisë dhe nëse nuk kanë dëmtime, titulli i kampionit më në fund mund të mos mbetet vetëm ëndërr vjeshte.
4. Tottenham – Liverpool (e diel, ora 5)
Dikush që po ia del mban me rotacionin është Pocchettino. Me një ekip të ndryshueshëm arriti ti bëj ballë Realit në ‘Bernabeu’. Ishte një paraqitje mbresëlënëse që do të duhej të kontribuonte më së shumti në përgatitjen psikike.
Kanë pasur problem të adaptohen në stadiumin e huaj, por fitorja edhe pse minimale në javën e fundit mund të shërbej si ‘thyerje e mallkimit’.
Në anën tjetër tek Liverpooli mbrojtja mbetet në mëshirë të krahëve dhe mesfushës. Kanë qenë të shkëlqyeshëm në Slloveni, por rivalitet më të madh se Maribori mund të gjejnë edhe ndaj Leyton Orientit.
Kanë një sezon të mirë deri tani. Që të dyja. Fitorja do të ishte imperativ për të mbajtur gjallë garën me Manchesterat, edhe pse Liverpooli nuk e ka seriozisht këtë mision me gjasë.
5. Galatasaray – Fenerbahce (e diel, ora 6e30)
Kur sheh Ostersundin në krye të grupit në Europa League dhe krahason Galatasarayin e korrikut me këtë të sotëm, atëherë disi e gjen një arsyetim. Por, kur krahason Fenerbahcen e gushtit me Vardarin që po shërben si golaverazh për ekipet tjera, me Fenerbahcen e sotëm atëherë sheh që kanë pasur shumëçka për të përmirësuar.
Këto përmirësime nuk kanë ndodhur, së paku në fushën e lojës. Akoma nuk janë të qartë taktikisht në fushë. Kjo nuk mund të thuhet për liderët e Superligës turke. Kanë arritur të shpërthejnë shumë ndeshje ku fati u kishte kthyer shpinën, pos në Antalya ku ky i fundit doli fitimtar.
Në ‘Telekom Arena’, Fenerbahce nuk ka kujtime të mira viteve të fundit. Në fakt kundër Galatasarayit nuk kanë kujtime të mira as në Kadikoy ku ndalnin rrymën për të mos lejuar festimin e kundërshtarëve nga qytetit. Dhe në fund, të gjitha këto i fajësonin në disidentin politik në një metodë linçuese
mesjetare.
p.s. Kur jemi tek politika, vota është e drejtë themelore dhe në të njëjtën një kusht që kemi ndaj vetvetes e rrethi. Shfrytëzoni këtë të drejtë, sepse futboll ka edhe javën tjetër, derisa vota juaj ka vlerën për katër vite.