KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
2 April, 2021 @18:00
Rikthehet futbolli i ekipeve!
Pas pushimit të kombëtareve, nga ligat evropiane kemi plot ndeshje të mira këtë fundjavë!
1. PSG - Lille (e shtunë, 17:00)
Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Parisi 8 xhiro para fundit nuk është duke kryesuar bindshëm në Ligue 1.
Pas 30 xhirove, PSG e Lille kanë pikë të barabarta në krye të elitës franceze, e këtë të shtunë këto skuadra përballen mes vete në kryeqytetin francez. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave në ligë këtë sezon kishte përfunduar 0-0, kurse para rreth 2 javëve, Parisi e kishte mposhtur Lillen 3-0 në Kupën e Francës.
Normalisht, favorit edhe të shtunën është Parisi, por është prej ndeshjeve për t’u shikuar këtë fundjavë.
2. RB Leipzig - Bayern München (e shtunë, 18:30)
Ndeshja që mund ta mbyllë apo ta rihapë garën për titull në Bundesligë. Duke qenë 4 pikë përpara në renditje, një fitore e Bayernit të shtunën do ta mbyllte pothuajse plotësisht garën, kurse nëse Leipzigu fiton, diferenca mes skuadrave zvogëlohet në 1 pikë dhe gjithçka mbetet e hapur në garën për titull.
Leipzigu në shtëpi është skuadër shumë e mirë, e Bayerni po pranon gola më shumë se që duhet sivjet + të shtunën është pa Robert Lewandowskin e lënduar. Duhet të jetë një ndeshje e bukur!
3. Leicester CIty - Manchester City (e shtunë 18:30)
Pa angazhime në garat evropiane pas eliminimit nga Slavia e Pragës, Leicesteri i Brendan Rodgers mbetet i fokusuar në sigurimin e një prej pozitave që dërgojnë në Champions vitin tjetër, ndërkohë që shpreson edhe për një triumf në FA Cup, ku momentalisht ka arritur në gjysmëfinale.
Takimi i së shtunës ndaj Cityt mund të jetë mjaft i mirë për futbolldashësit, por nuk besoj që do të dhurojë 7 gola, sikur ndeshja e kaluar 2-5 në “Etihad Stadium”. City ka mbrojtje dukshëm më të konsoliduar dhe shumë gjëra kanë ndryshuar që nga përballja e kaluar mes tyre, pra 7-golëshi këtë herë nuk është pritshmëri reale.
4. Arsenal - Liverpool (e shtunë, 21:00)
A do ta shohim një Liverpool tjetër pas pushimit të kombëtareve?
Sfidën e parë pas rikthimit nga pushimi i kombëtareve Liverpooli e ka në Londër, në udhëtim te Arsenali.
Me Diego Jotan e rikthyer, Klopp do të shpresojë për përmirësim të repartit ofansiv, që së fundi ka qenë shqetësues po aq sa mbrojtja me plot mungesa.
Në anën tjetër, në dyshim te Arsenali janë Saka e Smith Rowe, lojtarë që po kalojnë sezon mjaft të mirë
Çuditërisht dhe për shkak të lëndimeve të shumta, Liverpoolt fitorja i duhet domosdoshmërisht për ta vazhduar luftën për një pozitë që dërgon në Champions, e Arsenali një vend në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm më lehtë e ka ta arrijë përmes triumfit në Europa League, ku nuk është se e pret punë e lehtë.
5. Sevilla - Atletico Madrid (e diel, 21:00)
Për shkak që në mesjavën e ardhshme ka gara evropiane, shumica e ndeshjeve “të mira” këtë fundjavë luhen të shtunën. E të dielën, një prej ndeshjeve për t’u shikuar “detyrimisht” është ajo mes Sevillës e Atletico Madridit.
Atletico momentalisht ka 4 pikë më shume se Barcelona e 6 pikë më shumë se Reali në renditje, dhe në 10 xhirot e fundit nuk i lejohen shumë gabime në rast se e dëshirojnë titullin kampion.
Prej stadiumeve ku “të mëdhenjtë” e La Ligës mund të lëshojnë pikë, është padyshim edhe ai i Sevillës, gjë që do ta bëjë ndeshjen e së dielës mjaft interesante.
Ndërkohë, Reali ndeshjen e tij këtë xhiro e luan para Atleticos, e Barcelona luan të hënën, një ditë më vonë.