ANALIZË
5 për fundjavë!
Shkruan: Luan MORINA
18 November, 2017 @8:00
1. Arsenal – Tottenham (e shtunë, ora 1e30)
Që nga ‘të pamposhturit’ e finalistët e Ligës së Kampionëve deri tek përfundimi mbi rivalët e qytetit, që për shumë kohë kanë qenë inferior edhe ndaj ekipeve tjera të Londrës, kanë ndryshuar qëllimet e Arsenalit këto dy dekadat e fundit. Dhe ajo çfarë e bënte Arsenalin të kënaqshëm për sy atëbotë, sot e bën Tottenhamin.
Në Premier League, lojë më të bukur se Tottenham nuk bën asnjë ekip! As liderët aktual të cilët kanë investuar gati gjysmë miliardë eurosh në një ekip kampion për të qenë aty ku janë tash. Lëndimi i Alderweireld është hendikep për mysafirët. Kanë Davinsonin dhe Dierin, i cili pa problem mund të kthehet në mbrojtjen treshe, por Toby është më ndryshe edhe në aftësitë e tija për të kundërsulmuar. Kane ka qenë i shkëlqyeshëm që nga shtatori. Por, edhe më i shkëlqyeshëm gjatë këtyre javëve pushimi qe Christian Eriksen.
Ndërkohë Arsenali është ekip pa identitet për momentin, fatkeqësisht. E vetmja anë pozitive këtë sezon tek ‘topçinjtë’ është se nuk kanë humbur pikë ndaj ekipeve më inferiore – Watford ka qenë e shkëlqyeshme këtë sezon. Monreal është përshtatur mirë në mbrojtjen treshe, Kolasinac ardhje e shkëlqyeshme që ka lënë në hije Bellerinin, dhe filozofitë e Wengeriit.
Në fakt, rreziku më i madh për Arsenalin janë këto të fundit. Nisja pa sulmues ndaj Cityt, pushimi i panevojshëm i Lacazette, dhe vendime tjera të çuditshme në formacion e bëjnë atë rrezikun më të madh në ekip. E ndoshta është koha që Sanchez të ndizet tashmë për një shtytje të fundit me këtë fanellë.
Derbi i Londrës, sidomos viteve të fundit është baraspeshuar duke u shndërruar në njërën nga duelet më të bukura në futboll. S’ka pse të jetë ndryshe edhe kësaj radhe.
2. Leverkusen – Leipzig (e shtunë, ora 3e30)
Është ndër ato ndeshje që DUHET ta shihni patjetër. Një grumbull talentesh në të dy anët, të cilat luajnë pa shumë presion psikik duke shfaqur të gjitha aftësitë e tyre teknike që kanë. Të dy trajnerët kanë stabilizuar ekipet e tyre pas startit jo aq të mirë të ligës.
Tek Leverkusen keni një mesfushë U21 të udhëhequr nga shërbyesi i golave Kai Havertz dhe golashënuesit Bailey e Brandt. Alario ka pasur një formë të mirë në sulm, por ai që po befason për të mirë është Kevin Volland. Benderët po ndihmojnë mbrojtjen ku Tah është një mur në vete, e befasi e mirë ka qenë Retsos i ardhur këtë sezon.
Për Leipzigun kemi shkruar disa herë në këtë rubrikë. Është fermë në vete. Këtë vit nuk janë aq bukur sa ishin vitin e kaluar, megjithatë talenti është aty. I gatshëm për të mrekulluar çdo javë.
3. Roma – Lazio (e shtunë, ora 6)
Derbi i kryeqytetit italian do të vë përball një ekip mirë të kompozuar të Lazios që po bën mrekullia këtë sezon edhe Romën që po ndërtohet suksesshëm sa më shumë kohë që po kalon në Di Francesco në ulësen e trajnerit.
Tek vendasit Dzeko nuk ka shënuar që nga ndeshja e parë me Chelsean. Por, këtë e kanë mbuluar për merak El Shaarawy dhe Perotti. ‘Faraoni’ po kalon një formë të shkëlqyeshme, akoma të paprekur nga lëndimet. Nainggolan, Strootman e Florenzi kanë heq qafe lëndimet, e pas Pellegrinit, edhe Gerson ka gjetur veten tek Roma.
Krejt kjo premton për një lojë të shkëlqyeshme dhe jo një fitore aq të lehtë të Lazios sikurse në pranverë. Do të duhej të ishte një ndeshje më e baraspeshuar, ashtu siç është Serie A këtë sezon.
4. Atletico Madrid – Real Madrid (e shtunë, ora 15n9)
E kur jemi tek baraspeshimi, Napoli ndoshta të zhgënjyer me formën në Evropë, kanë nisur të çalojnë në ligë. Lëndimin e Ghoulam mund ta konsideroja edhe si rrënues i të gjitha shpresave të Napolit për një titull eventual. Është në një pozitë ku s’ka zëvendësues të denjë, së paku deri në janar, dhe ndoshta e vetmja mënyrë mund të ishte kthimi në mbrojtje treshe.
Në anën tjetër Milani nuk e ka gjetur veten dhe qysh tani mund ta konsiderojmë një sezon të humbur për ta në Serie A, me të vetmen shpresë Europa Leaguen. Me Napolin është edhe një nga trenat e fundit për ‘rossonerët’, por gjasat janë të vogla.
Dhe për këtë arsye derbi i Madridit është opsion shumë më i mirë. Së paku bazuar deri në formë e deritashme. Që të dyja duhet të mbajnë hapin me Barcelonën në krye dhe debutimi në Wanda Metropolitano do të ishte një arsye shtesë për fitore në derbin e kryeqytetit spanjoll.
Atletico është e hendikepuar nga mungesa e transferimeve. Edhe lëndimet nuk kanë qenë të buta ndaj tyre dhe për momentin vetëm Tomas Partey po shënon gola. Edhe atë çfarë gola! Ndërkohë nuk mund të mbyllim sytë para kësaj periudhe tranzicioni tek Reali. Kanë ekip të talentuar, kanë trajner të duhur, por edhe kanë nevojë për ndryshime rrënjësore në ekip. Po qarkullojnë disa emra që mund të largohen, edhe Kroos e Cristiano, derisa Bale është i sigurtë. Kanë një skelet të mirë për të ardhmen, vetëm ju duhet durim dhe një sezon pa tituj sigurisht!
5. Schalke – Hamburger SV (e diel, ora 3e30)
Pa tituj kohë të gjatë janë edhe dy skuadrat elitare të Bundesligës. Vetë struktura e futbollit gjerman i ka zhytur këtu ku janë tash disa vite – Schalke larg ekipit për të sfiduar kryesuesit, HSV me të vetmin qëllim – ruajtjen e statusit të përhershëm të kategorisë së parë të futbollit gjerman.
Goretzka ikën verën e ardhshme dhe është lënduar në momentin më të mirë të sezonit. Pritet të rikthehet në formacion, por mund të kaloj kohë para se të rigjejë formën. Tedesco ka stabilizuar ekipin që në letër nuk duket të jetë i denjë për katërshen e parë, megjithatë rezultatet flasin ndryshe.
Ndërkohë Mërgim Mavraj me Hamburgun, në letër përsëri, janë të denjë për të konkurruar Schalken. Por, në fushë është krejt tregim tjetër. Janë për të ardhur keq në çfarë pozite kanë rënë Hamburger SV që nga periudha e Besart Berishës e Van der Vaartit.