VENDIMET E KOMISIONIT DISIPLINOR
€5500 gjoba për Dritën, Lirinë dhe Prishtinën
16 May, 2018 @16:57
Skuadrat që po luftojnë për titullin kampion, Drita dhe Prishtina, por edhe Liria - janë gjobitur nga Komisioni Disiplinor i FFK-së për shkak të ngjarjeve në xhiron XXXII të Superligës.
Prishtina është gjobitur me 2 mijë euro “për shkak të manifestimit të sjelljeve josportive nga ana e simpatizuesve të saj (fyerjeve në kor drejtuar organeve të FFK-së dhe vetë FFK-së, minutat 38’ dhe 90+4’) në ndeshjen Liria-Prishtina, sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes”.
Liria është gjobitur me 1 mijë e 500 euro “për shkak të hudhjeve të gjësendeve të fushë, sipas raportit zyrtar të ndeshjes”.
Drita është gjobitur me 2 mijë euro “për shkak të lëshimeve në organizim të ndeshjes, Drita-Trepça’89 (pas pjesës së parë të ndeshjes, disa persona konfrontohen me lojtarët dhe shtabin teknik të ekipit mysafir dhe tentojnë të sulmojnë përfaqësuesin zyrtar të klubit Trepça’89)” - ka bërë të ditur FFK përmes njoftimit të botuar sot.
Derisa Liria vetëm do të përcaktojë pozitën e saj në Superligë në xhiron e fundit, Prishtina e Drita do të luajnë ndeshjen vendimtare në xhiron e fundit, për të përcaktuar kampionin e ri të Kosovës.