BRANDAO
6 muaj suspendim për goditje me kokë
19 September, 2014 @15:44
Sulmuesi brazilian i Bastias, Brandao, nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë ekipit të tij në Ligue 1, për gjashtë muajt e ardhshëm pasi që Komisioni Disciplinor i ligës elite të futbollit françez e dënoi me gjashtë muaj moslojë.
Suspendimi i Brandaos erdhi pasi që u dëshmua se ai kishte goditur ashpër dhe qëllimisht lojtarin e Paris St Germain, Thiago Motta në gusht të këtij viti.
Brandao, që ishte zëvendësuar gjatë ndërrimit të pjesëve, kishte pritur fundin e ndeshjes dhe kishte goditur me kokë Mottan, në korridor për zhveshtore, duke ia thyer hundën.
Një inçizim nga kamerat e stadiumit ka kapur lëvizjet e brazilianit në korridor, pritjen dhe dy hapat e para drejt goditjes, derisa një kamerë e Canal + ka kapur Mottan në anën e kundërt të Brandaos, duke rënë në tokë me gjak në hundë.
Kjo është hera e dytë që Brandao suspendohet nga KD i Ligue 1. Herën e fundit ai kishte goditur me bërryl, një lojtar tjetër të Paris St Germain, Yohan Cabaye.