LISTA E LOJTARËVE
Afati i fundit afrohet, FIFA s’përgjigjet, Kosova po pret
29 July, 2016 @21:43
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, ka edhe disa ditë afat për të dërguar në UEFA/FIFA, listën e lojtarëve të ftuar për duelin e parë zyrtar kualifikues për “Rusia 2018” ndaj Finlandës.
Saktësisht, Bunjakit i kanë mbetur edhe një javë për të dorëzuar listën e lojtarëve, pasi që afati i fundit për dorëzimin e emrave është 5 gusht 2016.
PËRGJIGJJA S’PO VJEN
Mirëpo, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk ka marrë konfirmim-përgjigje nga FIFA nëse do të mund të ftojë lojtarët e lindur ose me origjinë kosovare që luajnë në përfaqësueset tjera - e ky fakt, ka bërë që selektori i Kosovës dhe në përgjithësi reprezentacioni të jetë ‘peng’ i mospërgjigjes, ka mësuar www.Borozani.com.
Në fillim të kësaj jave FFK i ka rishkruar FIFA-së, duke kërkuar sqarim lidhur me lojtarët që luajnë për përfaqësueset e huaja, por përgjigjja ende nuk ka ardhur, edhe pse tashmë, me sonte java shkoi.
FTESAT DHE GRUPI
FFK gjithashtu brenda 15 ditëve duhet t’i dërgoj kërkesa klubeve ku luajnë lojtarët e reprezentacionit të Kosovës për duelin ndaj Finlandës.
Kosova për herë të parë prej se u pranua në FIFA e UEFA me të drejta të plota, do të merr pjesë në kualifikime për Kampionat Botëror. Kosova është vendosur në Grupin I kualifikues ku ka kundërshtarë si Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda. SHIKO Grupet kualifikuese dhe orarin e ndeshjeve të Kosovës.
Duelin e parë Kosova do ta zhvillojë ndaj Finlandës më 5 shtator 2016, në qytetin Turku.
RENDITJA
Kosova është radhitur në vendin e 190-të në renditjen e përgjithshme të FIFA-së për muajin korrik (pasi që për herë të parë iu llogarit një ndeshje e zhvilluar, fitorja ndaj Ishujve Faroe 2-0), ndërsa Finlanda është e 65-ta në këtë listë.
Të gjitha përfaqësueset tjera të grupit janë më lartë të renditura në këtë listë sesa Kosova e Finlanda. Biletat për ndeshjen Finlanda - Kosova tashmë kanë dalë në shitje dhe FFK-së i janë vënë në dispozicion 500 bileta për këtë takim, ku stadiumi “Veritas” ka kapacitet prej 9 mijë ulëseve.
Finlandezët gjithashtu kanë bërë të ditur se do t’ju ndalohet në hyrje çdo tifozi/shikuesi: fanella, flamuri apo çfarëdo rekuizite tjetër që ka simbolet e Kosovës, nëse ulet në pjesën e stadiumit të rezervuar për tifozët/shikuesit finlandez.