KUQEZI
Ajeti dhe Aliji, marrin shtetësinë shqiptare
9 March, 2015 @19:07
Kombëtarja shqiptare prej sot do të mund të llogaris në një mbrojtje edhe më të fortë sesa që e kishte deri tani.
Dyshja Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, kanë marrë shtetësi shqiptare nga kryetari i Shqipërisë dhe me tu paisur brenda disa ditëve me pasaporta shqiptarë do të kenë mundësinë që të paraqiten për kuqezinjtë në ndeshjen e radhës, tepër të rëndësishme, ndaj Armenisë.
Lajmin për marrjen e shtetësisë së dyshes në fjalë e ka bërë të ditur Asport.info, që ka botuar dekretin e nënshkruar nga kreu i shtetit shqiptar, derisa dy 21 vjeçarët pritet të jenë pjesë e mbrojtjes së kuqezinjëve që në ndeshjen e radhës ndaj Armenisë, pasi që trajneri Gianni De Biasi llogarit te ata.
Edhe Aliji që është i lindur në Shkup, edhe Ajeti, i lindur në Basel, kanë qenë pjesë e kombëtares U-21 të Zvicrës deri më tani. Në fakt, Ajeti është paraqitur për kuqezinjtë në dy ndeshje miqësore, por tani do ta ketë rastin që të debutojë edhe zyrtarisht në kualifikime për EURO 2016.
Shqipëria, që është e treta në Grupin I kualifikues ndeshjen e radhës e luan ndaj Armenisë në Elbasan Arena të Elbasanit, ndërsa fitorja në këtë ndeshje është imperativ për kombëtaren drejt rrugës për EURO 2016 që do të mbahet në Francë.
Arlindi është pjesë e rregullt e Baselit që është lider i Superligës zvicerane, derisa Aliji luan për Vaduzin.
Përndryshe me ardhjen e Naserit në kombëtare, ai do të bëhet lojtari i parë nga Shkupi që do të vesh fanellën kuq e zi me shqiponjë në krahëror.