KUPA E KOSOVËS
Ferronikeli luan në Prizren
9 March, 2015 @13:29
Liderja e Superligës do të luaj në Prizren ndeshjen për Kupë pasi që stadiumi në Skenderaj nuk ka mundësi të pastrohet për pasnesër.
Ferronikeli do të zhvillojë ndeshjen ndaj kampionit në Prizren. Ky është lajmi i fundit që e ka bërë të ditur skuadra lidere e Superligës, pasi që stadiumi i Skenderajt, Bajram Aliu, nuk do të mund të përgatitet deri të mërkurën, kur është caktuar termini për rrethin e dytë të Kupës së Kosovës.
“Falenderojmë Drenicën për përkushtim maksimal që terreni të bëhet gati për të mërkurën, mirëpo në pamundësi që ajo të bëhet gati për lojë deri pasnesër, falenderojmë kryesinë e Lirisë për mundësinë që na dha,” shkruan njoftimi i klubit lider, Ferronikeli, në një postim pak më parë në Facebook.
Termini dhe data e ndeshjes mbeten të njejta, pra në ora 13:00 të mërkurën, Ferronikeli pret Kosovën e Vushtrrisë në stadiumin Përparim Thaçi të Prizrenit.
Stadiumi i Ferronikelit është në punime për tu renovuar, derisa ata gjatë gjithë stinorit luajnë në Skenderaj. Rreshjet e javës së kaluara detyruan FFK-në që të shtyej ndeshjet e fundjavës së kaluar për fundjavën që vjen. Mirëpo, rreshjet e mëdha në disa vende lanë terrenet edhe ashtu jo shumë të mira në gjendje të vështirë.
Fituesi i kësaj përballjeje do të del në çerekfinale të Kupës së Kosovës.