KUQEZI
Aliji gati, merr pasaportën
10 March, 2015 @20:01
Njëri nga emrat e përfolur që pritet të jenë të ftuar nga trajneri Gianni De Biasi për ndeshjen kundër Armenisë, Naser Aliji, është pajisur me pasaportë shqiptare.
Mbrojtësi anësor 21 vjeçar tashmë i ka kompletuar dokumentacionet e nevojshme dhe ka filluar të mendojë për ndeshjen e radhës të kombëtares, ku do ta ketë rastin e parë për të debutuar me fanellën kuqezi.
Përveç Alijit, emrat e tjerë që po përfolen në kombëtare që pritet të ftohen për ndeshjen kundër Armenisë janë edhe qendërmbrojtësi i Zurichut, Berat Xhimshiti, dhe sulmuesi i Sturm Grazit, Donis Avdijaj.
Shqipëria do të takohet më 29 mars me Armeninë në stadiumin e Elbasanit, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian.