FA CUP
Arsenal eliminon Unitedin
9 March, 2015 @22:34
Seria prej shtatë ndeshjeve pa fitore e Arsenalit në përballjet e drejtpërdrejta me Manchester Unitedin kanë marrë fund.
Ekipi i Arsene Wengerit ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në Old Trafford, duke ia shuar ëndrrat e Unitedit për ta fituar Kupën FA, të cilën nuk e ka fituar që nga viti 2004.
Topxhinjtë kaluan të parët në epërsi në minutën 25’, kur pas një depërtimi të bukur para zonës së rreptësisë nga Alex Oxlade-Chamberlain, topi arrin deri tek Nacho Monreal, i cili nga një pozitë të volitshme përballë portierit De Gea tregohet i pagabueshëm.
Kjo epërsi zgjati vetëm katër minuta, pasi Wayne Rooney e barazoi rezultatin për të shkuar skuadrat në pushim pranë rezultatit 1-1.
Fjalën e fundit në ndeshje e tha Danny Welbeck, i cili shënoi golin e fitores në minutën 61’ duke e dribluar portierin kundërshtar.
Nga minuta 73’ trajneri i Manchester Unitedit Louis Van Gaal e inkuadroi në lojë edhe Adnan Januzajn për të qenë më efektiv në sulm, mirëpo kartoni i kuq i Angel Di Marias (77’), i vështirësoi tejmase punët e djajve të kuq, të cilët u ndanë me humbje nga fusha.
Kështu, Arsenali u bë gjysmëfinalisti i dytë në FA Cup pas Aston Villas, derisa dy gjysmëfinalistët e tjerë pritet të mësohen nga përballjet Bradford City - Reading dhe Liverpool - Blackburn Rovers.