STADE DE REIMS
Arbër Zeneli zyrtarizohet në Ligue 1
26 January, 2019 @19:58
Lojtari më i mirë kosovar i vitit shpallur nga FFK-ja, Arbër Zeneli, është anëtar i ri i Reims edhe zyrtarisht.
Klubi i Reims ka prezantuar sot futbollistin e Kosovës si asistuesin e gjashtë më të mirë në Evropë [11 asistime në 17 ndeshje].
Zeneli ka nënshkruar kontratë 5 vjeçare me ekipin e Stade de Reims në Francë që garon në Ligue 1, që është aktualisht i 12-ti në elitën e futbollit francez.
Dueli i radhës për Reims është ndaj ekipit të madh francez, Olympique de Marseille dhe Zeneli mund të debutojë në këtë përballje.
“Shpejtësia, preciziteti, aftësia për të qenë vendimtar, janë karakteristikat kryesore të lojtarit tonë të ri,” ka qenë përshkrimi i faqes zyrtare të ekipit francez për mesfushorin e krahut që ka hyrë në histori të reprezentacionit si lojtari i parë që ka shënuar hat-trick në një ndeshje zyrtare për Kosovës.
Futbollisti që më 25 shkurt do të mbush të 24-tat tashmë pas katër stinorëve të kaluar në Heerenveen të Holandës, ku kishte ardhur prej Elfsborgut suedez në vitin 2015, do të jetë anëtar i ri i Stade de Reims.
Zeneli ka marrë fanellën me numër 17 te ekipi i tij i ri.