SHPRESAT MBAHEN GJALLË!

Arlind Rrustemaj sjell fitoren e dytë të Vëllaznimit
16 April, 2023 @17:52
Ekipi i Vëllaznimit duket se po këndellet, por tashmë gjithça është vonë dhe vetëm mrekullia mund t’i shpëtojë ata nga rënia prej Ligës së Parë. Futbollistët kuqezi të drejtuar nga Megzon Visoka kanë shënuar sot fitoren e dytë të stinorit, duke e mposhtur Rilindjen 1974 me rezultat minimal, 1-0.
Ka qenë sulmuesi Arlind Rrustemaj që ka shënuar në pjesë të parë, për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes: Vëllaznimi 1-0 Rilindja 1974 [Arlind Rrustemaj 28’].
Në pesë xhirot e mbetura, dy pikë të fituara nga A&N-ja do të thotë që Vëllaznimi bie edhe matematikisht nga Liga e Parë. Përndryshe, gjakovarët janë të fundit në renditje me 10 pikë prej 22 ndeshjesh. Rilindja 1974 e shtata në renditje, ka 28 pikë dhe të siguruar qëndrimin në sezonin e parë që po merr pjesë në këtë rang garash.