KOLUMNE
Arsyetimi i fundit e Kosovës!
Shkruan: Luan Morina
31 December, 2016 @13:07
Përfundimisht, ky vit do të njihet si viti kur nuk kemi më pengesa politike për të bërë sport në arenën ndërkombëtare. Sot, ditën e fundit të vitit 2016, do të duhej të përfundonim me arsyetimet jo-sportive për mos-sukseset e sportistëve tanë.
Me pranimin në federatat ndërkombëtare gati të gjitha federatave tona, ka përfunduar izolimi. Tani është koha të zhvillohemi edhe të përmirësohemi dita e ditës. Potenciali gjithmonë ekziston, vetëm duhet lidershipi i duhur, pedagogjia sportive që nga çerdhet e parashkollorët deri tek profesorët universitar. Hapat e fundit, sidomos tek KOK nuk premtojnë shumë! Por, shpresoj të jem gabim, edhe pse puna e tyre është parë tashmë 20 vite e tepër duke u shndërruar në një diktaturë kapitaliste!
Futbolli
Pranimi në UEFA dhe FIFA erdhi me sfida edhe më të rënda. Së pari nisën kontradiktat analfabetike se si ta quajmë 11shen verdhëkaltër, shkallëzimi i patriotizmit, deri tek turpi që një vend si Kosova nuk ka as një stadium të përshtatshëm për gara ndërkombëtare. Vendi i vetëm në Evropë!!!
Derisa investimet kanë filluar të ecin, është pak e besueshme që politika do të mbetet jashtë sportit, duke e ngulfatur si gjithçka tjetër publike ku i kanë rrasur hundët. Si për ironi, terrenet me lloç mund të mbeten mbrojtja më e mirë nga ta!
Përjashtimi nga FIFA e UEFA nuk është hajgare! Përkundrazi do të ishte hapi më i mençur nëse nuk i mbyllim kualifikimet në ndonjë stadium në Kosovë.
Basketbolli
Kampion ballkanik! Kështu ia bëjmë vetit qejfin derisa jemi njëri nga pak vendet që s’kemi përfaqësues në Ligën e Kampionëve të FIBA-s. Gëzimi që të huajt pranojnë të luajnë për neve është i përkohshëm! Derisa duhet të vazhdojmë me zhvillimin e lojtarëve tanë që nga moshat më të vogla, përvoja e të huajve nuk na dëmton. Përkundrazi.
Ajo çfarë na dëmton janë ‘analistët’ dhe ‘ekspertët’ e rrjeteve shoqërore të cilët gjithnjë na tregojnë se ky apo ai trajner nuk bën, dhe duhet larguar. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë këta tifozë është të kthehen në tribuna.
Tifozët
Kthimi i tyre nuk do të ndodh derisa të bëhen kushtet e favorshme jo vetëm materiale. Atmosfera në stadiume është mjaft e papërshtatshme për argëtim familjar, dhe sportdashës. Më shumë shihet si arenë huliganësh të cilët e zhvendosin edukatën e tyre të pështirë nga tribunat në fushë, e gjithnjë e në dozë më të madhe edhe në rrjete sociale, e pse jo edhe në ‘debate televizive’.
Huliganizmi, ngjashëm si radikalizmi fetar, është diçka që po zhvillohet në hije!
Majlinda
Për Majlindën kam shkruar jo pak. Është një shembull që duhet të ndiqet nga të gjithë që aspirojnë të arrijnë diçka me një gjë që i kënaq. Peja është kthyer në inkubator të sportit të xhudos edhe falë Driton Kukës! Me njerëz si këta të cilët përkundër çdo sfide vazhdojnë punën me disiplinën më të rreptë, medalja e Rios do të jetë vetëm e para për Kosovën.
2017
Ka shumëçka, ama shumëçka për tu bërë! Të gjitha nuk mund të realizohen në 2017ten. Por, mund të hedhim themelin në zhvillimin e sportit nga i cili më së shumti do të përfitojë shoqëria, e në veçanti rinia kosovare. Nga fushat e shkollave fillore, deri tek sallat e fakulteteve, e tek fushat e improvizuara të lagjeve – të gjitha këto shërbejnë për zhvillimin fizik e psikik të kosovarëve.
Nuk kemi më arsyetim izolimin. Mund të gjejmë arsyetime tjera të brendshme, por në vend që të përmendim ato që shkuan keq në 2017, në fund të vitit të ardhshëm le të përmendim ato që shkuan mbarë.
Me shpresën që të jenë sa më të shumta në numër e suksese, urojmë një vit të suksesshëm për sportin kosovar nisur nga kombëtaret U12, deri tek ato të veteranëve!