ALLEGRI
Askush s’më besonte!
21 February, 2013 @11:34
I stërkënaqur nga ekipi i tij, krenar dhe serioz, Massimiliano Allegri u ka përkujtuar mbrëmë të gjithëve nëpërmjet mediave prezente se ai ka qenë njeriu i parë që ka besuar në rënien e Barcelonës.
“Kemi fituar një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Barcelonës dhe kur e kam besuar unë këtë gjë, askush s’më besonte mua,” ka thënë Allegri që në momentet e para të bisedës duke vazhduar.
“Për të fituar këto ndeshje duhet që çdonjëri në fushë të sakrifikohet dhe të punojë shumë. Ne e arritëm qëllimin që mos ta afrojmë Barcelonën në zonën e penalltisë dhe ata nuk e kishin asnjë rast apo shut të mirëfilltë drejt portës sonë,” ka shtuar Allegri gjatë bisedës së djeshme.
Tekniku italian i ardhur nga Cagliari vite më parë, shumëherë ka qenë i kritikuar sivjet duke u shpallur fajtor për dështimet e Milanit në fillim të Serie A-së si dhe Ligës së Kampionëve. Mirëpo, prej se Adriano Galliani ka thënë se Allegri do të mbetet në Milan, rossonerët po fluturojnë.
FAKT:
Milan ka shënuar fitoren e parë ndaj Barcelonës që prej vitit 2004 |