KOSOVA - OMANI

“Ata mbi 100, ne vetëm katër”
6 September, 2014 @18:09
Sot është mbajtur një konferencë për shtyp para ndeshjes Kosova - Omani, ku prezent kanë qenë trajnerët dhe kapitenët e të dyja skuadrave, si dhe krerët e FFK-së.
Fjalën e parë e kishte trajneri i Omanit, Paul Le Guen, i cili tha se ndjehet i lumtur që është në Kosovë, derisa shtoi se dëshira e tij është që nesër të jetë një lojë e mirë me shpirt sportiv, duke shpresuar që kjo ndeshje do t’i shërbejë shumë skuadrës së tij para ndeshjeve të radhës që kanë rëndësi më të madhe, derisa kapiteni mysafir, Ali Alhabsi, tha se ndjehet i mahnitur nga mikprita në Kosovë.
Ndërsa përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, duke falenderuar përfaqësuesen dhe federatën e Omanit për pranimin e ftesës për lojë, tha: “Kosova është një shtet i ri dhe më këtë edhe përfaqësuesen e kemi të re. Duke shfletuar shënimet pashë se disa futbollistë të Omanit kanë edhe nga 100 lojë ndërkombëtare, ndërsa për fubollistët tanë kjo është ndeshja e katërt. Gjithsesi pres një lojë të mirë dhe nga kjo të dalim me më shumë përvojë. Në taborin tonë po mbretëron një atmosferë e mirë dhe unë kam besim te skuadra”.
Në fund, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj, tha se kjo lojë është tejet e mirëseardhur për të marrë përvoja të mira, duke shpresuar që nesër do të zhvillohet një lojë e bukur që do t’i kënaq të gjithë adhuruesit.