EURO U-19 / HUNGARIA 2014
Austria me Bytyqin në gjysmëfinale
23 July, 2014 @9:23
Kampionati Europian për grupmoshat nën 19 vjeçare, po kalon në shenjë të djaloshit me origjinë prizrenase, Sinan Bytyqi.
Futbollisti 19 vjeçar ka shënuar gol edhe në ndeshjen e dytë të Austrisë - ndaj Izraelit - për të nisur fitoren e dytë në Grupin A, ku rezultati përfundimtar ishte 3-0.
Bytyqi ka shënuar edhe këtë gol nga penalltia, sikurse në ndeshjen e parë - pasi që trajneri i Austrisë U-19 i beson atij goditjen.
Me këtë fitore, Austria ka arritur të sigurojë gjysmëfinalet e Europianit duke eliminuar Izraelin dhe organizatoren, Hungarinë nga Kampionati.
Ndeshjen e fundit në Grupin A, Austria e luan ndaj Portugalisë, që gjithashtu ka 6 pikë nga dy ndeshje - derisa kjo pritet të përcaktojë edhe fituesin e grupit dhe çiftin gjysmëfinal.
Kundërshtarët potencial të Austrisë së Sinan Bytyqit në gjysmëfinale janë: Gjermania, Ukraina dhe Serbia - varësisht nga ndeshjet e treta të Grupit B.