Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA KONFERENCA

Balaj: S’kemi kohë të gëzohemi

Foto: FSHF

Balaj: S’kemi kohë të gëzohemi


5 September, 2020 @16:36

Sulmuesi shtatëgjatë i Shqipërisë, Bekim Balaj, në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Lituanisë ka thënë se do të jetë i gatshëm për fanellën sa herë që kërkon selektori Edi Reja.

Sa i përket ndeshjes së fituar ndaj Bjellorusisë, Balaj ka bërë të ditur se ekipi është në rrugë të duhur me fitoren e arritur.

“Ajo që na ngroh të gjithëve është 3 pikëshi që morëm, fitorja jashtë fushe na jep moralin e duhur për fillimin e këtyre eliminatoreve për Nations League. Mendoj që jemi në rrugën e duhur me atë fitore që arritëm. Pas dy ditësh kemi ndeshjen tjetër dhe ndoshta nuk kemi dhe shumë kohë të gëzohemi. Të mendojmë për 3 pikëshin e radhës,” ka thënë shkodrani Balaj.

Sa i përket angazhimit të tij si zëvendësues në përballjen e fundit në Minsk, ai ka thënë se pak kanë rëndësi minutat.

“Sigurisht që dëshira e të gjithëve është ta nisim ndeshjen titullar por që kjo nuk varet nga ne, janë zgjedhjet e trajnerit. Në fund të fundit arritëm fitoren dhe kjo na lë të kënaqur të gjithëve. Pak rëndësi ka sa minuta na jepet mundësia, të paktën në aspektin personal them gjithmonë, jam i gatshëm për të dhënë më të mirën për ekipin kombëtar,” ka shtuar sulmuesi që zhvilloi 20 minutat e fundit të ndeshjes në fitoren 0-2.

Shqipëria ende s’ka shënuar gol në “Air Albania” prej se kanë filluar të luajnë aty.

“Dëshira është e madhe të shënosh për ekipin kombëtar, pak rënëdësi ka ku shënon, por siç thatë dhe ju, në stadiumin tonë të bukur tashmë, nuk kemi arritur akoma të gëzohemi me një gol. Për fat të keq në këto ndeshje mungojnë dhe tifozët dhe gëzimi i golit nuk është i njëjti sikur të jenë dhe tifozët por që këtë ndeshje, e rëndësishme është ta fitojmë. Dëshira është e madhe ta fitojmë por në fund pak rëndësi ka kush shënon,” ka thënë ndër të tjera ai.

Shqipëria më 7 shtator pret Lituaninë në Tiranë në përballjen e dytë të Grupit 4 të Ligës C të Kombeve. Shqipëria ka 3 pikë, ndërsa Lituania është mposhtur nga Kazakistani në përballjen e parë, 0-2.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve