PA FITUES!
Barazim pa gola në derbin e kryeqytetit
Tekskti: 2korriku.com
11 November, 2023 @18:05
Siç duket, “ngërçi” për ekipin e 2 Korrikut nuk po do të kalojë. Si të mos kishin mjaftuar të gjitha ndodhitë e ndeshjeve të fundit, ekipit “verdheblu” sot shpinën ia ktheu edhe fati, teksa fitorja ishte aq afër, për çështje centimetrash, por topi “mbushi” mendjen e të pranishmëve se sot nuk deshi të hyjë në rrjetë.
Ndonëse me pak raste dhe jo shumë lojë të bukur për sy, 2 Korriku e Ramiz Sadiku sot “luftuan” fortë për pikët, e në fund më të kënaqur u duk se u ndanë mysafirët po nga kryeqyteti, të cilët i shpëtoi mbrojtësi Haliti në sekondat e fundit të ndeshjes, kur topin e kthyer nga Bejta e largoi dhe ia mohoi golin shtatgjatit Gashi.
Duelet më të mëdha të futbollistëve sot ndodhën në mesin e fushës, dhe në fakt ishin karakteristikë e këtij takimi, që pa dy ekipe krejtësisht të kundërta nga njëra-tjetra, me 2 Korrikun që me ngulm kërkoi fitoren por që krijoi pak, dhe me Ramiz Sadikun që nuk krijoi shumë, por rrezikun kryesor e kishte me kundërzbritje, të cilat për fatin e mirë të vendësve nuk rezultuan asnjëherë të suksesshme, ani pse minutat e fundit të ndeshjes u karakterizuan me lënie të madhe të hapësirës mbrapa nga futbollistët nikoqirë, por as këto nuk i ndihmuan ekipit “verdhezi” që të shënojë.
Pjesa e parë, që nisi me një minutë heshtje për të ndjerin Drinor Berisha, ishte shumë e zbehtë se sa ajo e dyta, por prapë se prapë nuk munguan momentet interesante e madje edhe diskutabile, sikurse rasti tek Londrit Hamidi, i cili u pengua në zonën kundërshtare e madje një prej mbrojtësve preku topin me dorë, por gjyqtari Pacolli e pa të arsyeshme që ndeshjen ta vazhdojë dhe të mos akordojë njëmbëdhjetë metërsh.
Për t’u përmendur nga pjesa e parë është edhe goditja e Ardit Gashit e ndalur nga portieri Dimal Isufi, që nuk la vend për t’u ndryshuar shifrat. Në anën tjetër nuk munguan as gjysmë-rastet për ekipin e Ramiz Sadikut.
Fraksioni i dytë i ndeshjes dha më shumë, me futbollistët që ndonëse pengoheshin nga fryma e madhe dhe temperaturat e ulëta, përsëri treguan angazhim.
2 Korriku u tregua më këmbëngulës gjatë thuajse tërë kësaj pjesë-loje, e golin e kërkoi nga një numër i madh ndërprerjesh, por nuk pati konkretizim, teksa rasti më serioz u shënua në minutat shtesë të ndeshjes, kur këmbëshpejti Bejta hyri mirë në zonë, e ktheu topin për mrekulli por të njëjtin e ndali Haliti i mysafirëve.
Gjithsesi, kjo pikë nuk e lë aspak të kënaqur ekipin “verdheblu”, që tanimë do t’i ketë dy javë kohë për ta rimarrë veten, deri tek dueli i radhës, i parafundit për stinorin vjeshtor, ai kundër Ulpianës në “Sami Kelmendi”.
—
Viva Fresh Liga e Parë; Java XII
2 Korriku – Ramiz Sadiku 0:0
Gjyqtarët e ndeshjes: Granit Pacolli (Prishtinë), Fatbardh Rrahimi (Podujevë), Albion Qelaj (Peja)
Delegati e ndeshjes: Xhafer Jashari nga Prishtina
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Ilir Shuleta nga Prishtina
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Enes Duraku, Albert Stublla, Abit Salihu, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Gneilpekan M. Camara, Londrit Hamidi, Ardit Gashi, Miftar Avdiu. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Granit Latifi 66’, Shqiprim Kelmendi 78’, Redon Bejta 86’, Ideal Abdullahu 86’
Mungoi në ndeshje: Riad Jashari (i lënduar)
Formacioni startues i Ramiz Sadikut: Dimal Isufi, Rion Berisha, Albin Dermaku /kap./, Taulant Haliti, Taulant Kiçmari, Rion Rushiti, Erduan Ibrahimi, Adonis Zeqiri, Yll Tupalla, Dren Zeqiri, Rigon Llugiqi. Kryetrajner: Triumf Sinani.
U inkuadruan edhe: Andi Bikliqi 66’, Adonis Pervetica 82’