Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPERDUELI

Barça apo Atletico?

Barça apo Atletico?


16 May, 2014 @22:13

Vetëm dy herë në histori të Spanjës kampioni është vendosur në ndeshjen e fundit të zhvilluar mes dy skuadrave që garojnë për titull, derisa nesër në përballjen e tretë historike, Barcelona dhe Atletico Madrid do t’i dalin përballë njëra-tjetrës në Camp Nou për të vendosur fituesin e La Ligas. 

Gjendja

Një xhiro para përfundimit të stinorit, Atletico Madrid udhëheq La Ligan me 89 pikë, Barcelona është e dyta me 86 pikë. Nëse Barcelona e dëshiron titullin e gjashtë në 5 vitet e fundit, atëherë duhet të fitojë ndeshjen e nesërme, në të kundërtën gjithçka tjetër do t’i konvenojë Atletico Madridit. 

Historia

Nëse Atletico Madrid do të fitojë titullin kampion, do të bëhet skuadra e parë pas një dekade jashtë Barcelonës dhe Real Madridit që ka fituar titullin. Këtë e kishte arritur Valencia në vitin 2004. 

Sa i përket dy dueleve historike ku ishte vendosur kampioni i Spanjës në ndeshjen e fundit ballëpërballë, kjo ka ndodhur në stinorin 1950/51, kur Atletico ia merr titullin Sevillës nga dora dhe pesë vite para kësaj, kur Sevilla ia merr titullin Barcelonës. 

Nga konferenca

“Ajo që mund të presim në ndeshje nuk do të dallojë shumë nga takimet tjera të Barcelonës, përveç nëse vendosi që portierin Pinto ta dërgojë në sulm, gjë që nuk do ta bëj. E di se Diego Costa është njëri ndër sulmuesit më të mirë në Europë, por ne kemi humbur nga Atletico pikërisht kur ai nuk luante. Atletico nuk është ekip që varet nga një lojtar - ata janë bashkësi,” ka thënë Tata Martino, trajner i Barcelonës në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme. 

“Ndeshja nuk do të vendoset në fillim të saj, por pres një start të furishëm nga Barcelona. Mendoj se do ta shohim një Barcelonë më të mirë të javëve të fundit. Barcelona e nesërme do të jetë njëra ndër më të vështirat e këtij stinori. Por, ne e dimë çka presim. Ne e dimë ku qëndrojnë forcat tona dhe dobësitë. Do të tregojmë lojë të madhe,” kanë qenë fjalët e trajnerit argjentinas të Atletico Madridit, Diego Simeone, i cili ka marrë lëvdatat më të mëdha për krijimin e një makinerie luftarake që nuk u dorëzua gjatë gjithë stinorit në dy frontet më të vështira për futbollin e sotëm, La Liga dhe Liga e Kampionëve. 



DUELET E FUNDIT MES VETI:

09/04/14 UCL Atlético Madrid 1 - 0 Barcelona
01/04/14 UCL Barcelona 1 - 1 Atlético Madrid
11/01/14 PRD Atlético Madrid 0 - 0 Barcelona
28/08/13 SUC Barcelona 0 - 0 Atlético Madrid
21/08/13 SUC Atlético Madrid 1 - 1 Barcelona
12/05/13 PRD Atlético Madrid 1 - 2 Barcelona
16/12/12 PRD Barcelona 4 - 1 Atlético Madrid

 
Të gjitha lajmet nga La Liga