Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TAHIR BATATINA

Batatina: Loja e Prishtinës nuk i kontribuon futbollit

Batatina: Loja e Prishtinës nuk i kontribuon futbollit


6 March, 2021 @18:02

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, komentoi ndeshjen me Prishtinën ku skuadra e tij u mposht me rezultat 2-0.

Batatina fillimisht foli për rastin e minutës 32’ kur Kastriot Selmani mbeti i shtrirë brenda zonës së rrezikshme dhe kërkoi penallti, ndërsa gjyqtari në atë moment qëndroi i heshtur.

RAPORTI I NDESHJES

“Unë nuk mund ta vlerësoj nga pozita që isha se a ishte penallti apo jo, janë njerëzit kompetentë që e vlerësojnë dhe gjyqtari i cili ishte më afër atij rasti, por nga këndi im ku kam qenë, mendoj se ishte penallti dhe besoj se po të ishte penalltia, ecuria e lojës do të ishte krejt ndryshe”, tha fillimisht trajneri llapjan.

Batatina më pas foli për ndeshjen në përgjithësi, ku tha skuadra e tij ishte ajo e cila ia dhuroi fitoren kundërshtarit, derisa Prishtinën e kritikoi për mënyrën e lojës për shkak të zhagitjeve të tepërta sipas tij.

“Ne e filluam ndeshjen mirë. Patëm që në minutat e para raste për të shënuar, ku edhe e goditëm shtyllën. Në njëfarë mënyre, ne e mundëm veten dhe jo se Prishtina na mposhti neve. Bëmë dy gabime dhe pësuam dy gola. Patëm katër raste që nuk i realizuam, kështu që kur nuk realizon edhe kundërshtari të jep gol. Pra ky është futbolli, por mendoj që sot Prishtina nuk i ka hije të luajë këtë lojë në këtë terren. Ne gjithë po mundohemi ta risim ritmin e lojës dhe jo ta ngadalësojmë atë. Zhagitjet e lojës në shumicën e kohës nga kundërshtari mendoj që nuk i kontribuon futbollit.

E kuptoj që çdo ekip nga minuta 85 duhet të bëjë një gjë të tillë, por jo edhe nga minuta e parë kur jep gol. Do të thotë është e tepërt dhe kjo nuk e rrit imazhin dhe cilësinë. Kjo më pengon jo vetëm te kjo skuadër, por te çdo skuadër. Pa marrë parasysh, skuadrat deri në minutën 85 duhet të luajnë futboll, ndërsa më pas është mençuri të veprohet në atë formë”, përfundoi ai.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga