Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Bayern 24 dhe Pep forever!

REUTERS

Bayern 24 dhe Pep forever!


Shkruan: Blerim Myftiu

26 March, 2014 @8:33

Maji është muaji i vitit në të cilin përfundojnë zakonisht kampionatet kombëtare të futbollit në pjesën më të madhe të shteteve të Evropës (përveç disa shteteve skandinave dhe ish-sovjetike që luajnë në sistemin pranverë-vjeshtë). Jemi mësuar që në fund të prillit dhe gjatë majit t’i përcjellim ndeshjet më mbresëlënëse dhe frymëndalëse të stinorit, në të cilat një pikë e vetme, një gol i vetëm, një shut i kthyer nga shtylla, një ofsajd i akorduar gabimisht apo një penallti e paakorduar, vulos fatin e tërë stinorit dhe e jep kampionin e ri. Nuk është asgjë e jashtëzakonshme që tri apo katër xhiro para fundit të shpallet edhe kampioni. Por, të bëhet kjo gjë rrafsh e 7 xhiro para përfundimit të stinorit, duke mos arritur të fitohen vetëm dy ndeshje gjatë tërë kampionatit (dhe atë me dy barazime, jo me humbje), duke arritur kulmin edhe në kupë dhe duke qenë në tetëshen më të mirë të kontinentit – bindshëm – duhet të jetë shkaktuar nga ndonjë forcë motorike, automatike, shartuese e mekanike që në kontekstin e shoqërisë në të cilën jetojmë ne, i atribuohet vetëm diçkaje që është gjermane. Pikërisht kjo gjë ndodhë në Gjermani, e bën Bayerni (kush tjetër?) dhe e bën Pep Guardiola (kush tjetër?).

Tika-taka, deutsche style

Meqenëse nuk është distancë kohore shumë e largët, si edhe pjesë të këtij recitali në masë të madhe mund të përjetohet ende (nën shkopin e një regjisori tjetër), na kujtohet të gjithëve makineria e përsosur e Barcelonës nën udhëheqjen e Guardiolas. Makineri e karakterizuar me trekëndësha brenda trekëndëshave të trekëndëshave të pasimit, të shkurtra sa të shkaktojnë marramendje dhe adresim në ambulancën më të afërt neurologjike për kundërshtarët, presing imediat posa të humbet topi, lojtarë që nuk qëllojnë në gol as nga 10 metra edhe po ta kenë të zbrazët kornizën e golit, por preferojnë të futen me top në gol dhe shfaqja e përgjithshme futbollistike që e arrin kulmin me nja 65 mijë e 793 e ca pasime, ku ndoshta 1% e tyre janë të pasakta! Tiki-taka apo “nervat-i-plasa” si quhej… pak ka rëndësi. Kaq monotone dhe prediktive, nga përsosmëria, i kishte bërë dikur ndeshjet e Barcelonës Guardiola sa që secila ndeshje e katallanëve qe shndërruar në një film të cilin e shikonim për nuk e di se satën herë edhe pse e dinim fundin.

Trajneri apo lojtari?

Të rralla janë rastet kur një trajner bëhet i suksesshëm në një klub, por kalimi në tjetrin, madje me pompozitet dhe pritje të mëdha, përfundon si aventurë zhgënjyese. Përkatësisht, suksesi i mëparshëm nuk arrihet si në të parin rast. Andres Villas Boas është më duket rasti më i freskët. Chelsea, Tottenham dhe e gjeti veten në Shën Petersburg. Turqia, Katari apo Emiratet duken më afër nga Rusia?!

Kisha një ndjenjë dyshimi edhe në rastin e Guardiolas. Dyshim i ngërthyer edhe me ndjenjën e frikës nga mossuksesi për një dikur lojtar korrekt, tani trajner edhe më korrekt dhe shembullor (përshtypje personale). Kujtoni edhe spekulimet e vazhdueshme nëse Guardiola do t’i arrinte ato që i kishte arritur në Barcelonë pa Messin, Xavin apo Iniestan, apo nëse këta lojtarë dhe të tjerët e sistemit ishin ata që e bënë Barcelonën Barcelonë, jo Guardiola apo sistemi i tij? Mbërrinte nga niveli i Barcelonës, nivel që dukej vështirë i arritshëm për një klub tjetër, aq më shumë se vinte pas stinorit të përkryer të bavarezëve nën udhëheqjen e Jupp Heynckessit, në të cilin stinor kishin fituar gjithçka që do të mund të fitohej. Deri në ditën 25 mars 2014, duket se dyshimi është venitur përkohësisht. Guardiola është ai që i përcakton kornizat. Brenda kornizës, luajnë Messi, Xavi, Iniesta, Pique, Sanches, Rodriguez, madje edhe Busquetsi bëhet faktor. Aty ku shtegton Guardiola, shtegton edhe sistemi dhe brenda asaj kornize që zhvendoset diku tjetër luajnë Ribery, Mandžukić, Robben, Shaqiri, Alaba, Dante, Lahm. Luan edhe Götze i implantuar nga Dortmundi. Do të luajë edhe ardhacaku tjetër i Dortmundit, Lewandovski.

Gjermania pa derbi nacional të mirëfilltë

 

Bayerni ka arritur të fitojë 24 tituj në 51 stinorët e Bundesligës. Ka fituar të tria kupat evropiane (për më të rinjtë, kujtoj se dikur ka ekzistuar Kupa e fituesve të kupave) dhe atë interkontinentale. Në Gjermani, gjatë viteve të kaluara, kanë ndryshuar vetëm rivalët e tij. Dikur kanë qenë 1. FC Nuremberg, FC Köln, Borussia Mönchengladbach e Hamburger SV; në kohët më të reja SV Werder Bremen dhe FC Schalke 04, aty-këtu Bayer Leverkusen; sot është Borussia Dortmund. Mirëpo Bayerni, përjashto ca zbatica të vogla dhe të kohëpaskohshme, ka qenë gjithmonë në maje. Simbol i motorit të pashterur gjerman, promotor dhe ushqyes i kombëtares gjermane – që prej treshes bosht Meier-Beckenbauer-Müller në 70-tat, Breitner e Rumenigge (Breitnigge) në fillim, kurse Matthäus e Effenberg në fund të 80-ve. Sot, Neuer, Lahm, Boateng, Schweinsteiger, Götze, Kross.

Megalomania e Bayernit (si klub dhe land) arrin përmasën që kundërshtarëve t’ua shkëput lulet që sapo bulëzojnë. Çekani bavarez godet mbi secilin klub që arrin të prodhojë ndonjë talent. Qoftë ta mbajë në stol, qëllimi i Bayernit është që mos t’ia lë kundërshtarit të jetë konkurrent për së afërmi me të. Rishtas, Borussia Dortmund prodhon dhe kultivon Götzen, Bayerni nuk pyet për shumën e të hollave që duhet të paguajë. Skenari i njëjtë përsëritet sivjet me Lewandowskin. Vitin e ardhshëm do të jetë ndoshta Julian Draxler i Schalke 04!

I lavdishëm në fillim të shekullit të kaluar kur u themelua, fitues i disahershëm i titujve në ligën e atëhershme gjermano-jugore, i etiketuar në kohën e nazizmit si “klub hebre” dhe rrjedhimisht pa suksese sportive në të 30-at dhe 40-at, i pazgjedhur për stinorin e parë premier të Bundesligës më 1963 (në vend të tij u mor TSV 1860 München), i futur në elitë pas dy stinorësh, 5 herë kampion i Evropës, kampioni në fuqi i Evropës, finalist në tri raste të katër finaleve të fundit të Champions League.

Pa dashur të prejudikoj apo të anoj për fituesin, lus vetëm që në cilëndo lojë të ardhshme të Ligës së kampionëve, Bayerni të mos shënojë dy herë në 10 minutat e parë të lojës duke e lënë pa shije 80 minutat e mbetura të mbrëmjes, e drejta për përcjellje e së cilës ndeshje sigurohet me vështirësi në mjedisin familjar!


 
Të gjitha lajmet nga Bundesliga