ALPHONSO DAVIES
Bayern bën rekord transfer nga MLS
26 July, 2018 @17:15
Rekord kampioni i Gjermanisë, Bayern Munchen, ka zyrtarizuar blerjen e fundit të skuadrës. Sulmuesi kanadez, Alphonso Davies (17 vjeç), është lojtar i ri i Bayernit.
Bayern ka paguar shumë rekorde për një transfer nga liga MLS e futbollit, duke i dhënë 11 milionë euro ekipit nga Kanada, Vancouver Whitecaps.
“Ky transfer është arrijte e jashtëzakonshme, pikë referimi, për ekipin tonë, shtetin dhe ligën,” ka thënë bashkëpronari i Whitecapsave, Jeff Mallett.
Mirëpo, kjo nuk është shuma përfundimtare. Varësisht nga performancat e lojtarit, shuma mund të shkojë deri më 19 milionë euro, ka bërë të ditur BBC Sport sot.
Davies ka lindur në kampin e refugjatëve në Ganë në vitin 2000, ndërsa prindërit e lojtarit kishin marrë rrugë drejt Kanadasë pas shpërthimit të luftës civile të radhës në vendin e tyre. Davies ishte 5 vjeç kur arriti në Kanada.
“Si fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar për momente si ky,” ka thënë Davies, që nënshkroi kontratë 5 vjeçare me Bayernin.
Ai iu bashkua Whitecaps-ave në vitin 2015, në moshën 14 vjeçe, ndërsa debutoi në MLS një vit më vonë. Fitoi pasaportin kanadez në qershor të vitit të kaluar dhe debutoi për reprezentacionin e këtij vendi, me 16 vjet, duke shënuar rekord, si lojtari më i ri që ka luajtur për seniorët ndonjëherë.
Alphonso Davies do të përfundojë këtë stinor me Vancouverin, ndërsa lojtar i Bayernit do të bëhet prej datës 1 janar 2019.