5 PËR VIKEND
Bersant Celina vs Milot Rashica, këtë fundjavë
Shkruan: Luan MORINA
23 September, 2016 @9:20
Përmbledhje e pesë ndeshjeve më interesante të kësaj fundjave nga ligat ndërkombëtare të futbollit.
Ndeshje që duhen shikuar.
1. Manchester United – Leicester City (e shtunë, ora 1e30)
Fellaini! E kuptoj Mourinhon në shumëçka. E di që është i zoti të bëj gjëra të duhura tek ky Manchester, por e vetmja pikëpyetje është nëse ka duart aq të lira sa që të përjashtoj Rooneyn nga ekipi. Ai është problemi, dhe problemi tjetër qëndron tek mosha e Ibrahimovicit. Suedezi është në gjendje të vrapoj jo më shumë se 20 minuta në fushë. Për pjesën tjetër të lojës, krahët dhe mesfusha duhet ta fusin në pozita që nuk i kërkon të lëviz më shumë se tre hapa dhe të ketë më shumë se dy prekje të topit.
Rooney nuk është ai i duhuri të qëndroj pas tij, e për mendimin tim as Pogba nuk është një mesfushor i avancuar. Mourinho ka punë për të bërë tek ky ekip, dhe titulli do të rrëshqas dalëngadalë deri në një mision të pamundur.
Mision i pamundur është edhe për Leicesterin të fitoj titullin. Mungesën e Kantes mund ta mbulojnë disi me rotacione të vazhdueshme në mesfushën qendrore. Krahët dhe sulmi janë të përkryer. Por, ajo që po i lëndon, dhe do ti lëndoj deri në dimër së paku, është mungesa e mbrojtësve. Nuk ka alternativa për Morganin dhe Huthin, dhe asnjëri nuk janë në moshë që do ti përballonin 50 ndeshje në sezon. As në moshë e as në cilësi. Sidoqoftë, akoma janë të denjë të befasojnë të tjerët, por të shtunën do ta kenë vështirë.
2. Arsenal – Chelsea (e shtunë, ora 6e30)
Arsenali, në fakt Wenger ka pasur probleme me Chelsean e Mourinhons. Wenger nuk është shumë i aftë në çarjen e ekipeve që luajnë mbyllur. E nuk ka shofer më të mirë autobusësh se sa Conte në Premier League. Është një formë lojë që nuk më pëlqen aspak, mirëpo nëse ju kryen punë, sigurisht që as fansat nuk do të bëhen merak.
Diçka tjetër që më shkon nerva janë trajnerët që marrin kohë deri të vendosin lojtarët në formacion startues. Ngjashëm po ndodh edhe me Xhakën i cili po mbetet në bankë pas llojit të Elnenyt e Cazorlas. Ky i fundit javën e kaluar do të duhej të ishte përjashtuar dy herë. Ndërkohë Elneny… nuk është më i mirë se Xhaka. Asnjëri!
Sidoqoftë, Chelsea dhe strategjia e Contes për prishje-nervash të kundërshtarit nuk është pa ilaç. Çështja është nëse Wenger është i zoti ta bëj kombinimin e duhur.
3. Besiktas – Galatasaray (e shtunë, ora 7)
Dy ekipe që luajnë lojë jashtëzakonisht të bukur. Besiktasi merr lojën në dorë dhe sulmon, sulmon, sulmon! Dhe nuk ngopen me një gol. Vazhdojnë të torturojnë ekipin kundërshtar deri në shkatërrim total. Dhe krejt kjo ndodh në pjesën e parë të lojës. Ritmi i tyre pushon në çerek-orën e fundit, por zakonisht kjo ndodh kur kanë një epërsi mbi dy gola.
Ndërkohë, Galatasaray ka një vijë ofensive të hatashme. Eren Derdiyok për momentin po del edhe më i mirë se Buraku. Kanë gjetur nëntëshin që ju ka munguar që nga dy vitet e fundit të Burakut. Me krahë si Bruma dhe Yasin, dhe Sneijderin për ti lidhur ata, lëvizin topin për mrekulli. E mbrapa tyre kanë Selcukun dhe Tolgan që po befason të gjithë. Kanë gjetur edhe shkatërruesin më të përkryer që nga largimi i Melos – Nigel De Jongun.
Në përgjithësi, është një ndeshje që premton shumë, sidomos nga loja e bukur që po bëjnë në këtë fillim-sezoni të dyja.
4. Twente – Vitesse (e diel, ora 2e30)
E vërtetë që Bersanti ka pasur pak minuta tek Twente këtë sezon, por shifrat që ka realizuar deri tani për një muaj e bëjnë atë ndër më të mirët në ekipin holandez. Ai ka shënuar dy gola me një mesatare prej 3 gjuajtjeve në portë për ndeshje.
Mesatare të përafërt ë gjuajtjeve dhe notave ka edhe Miloti tek Vitesse. Ka arritur vetëm një asistim dhe një gol deri tashti, por është një ndër pikat kyçe të ekipit.
Të dy ekipet janë të denja për gjysmën e epërme të ligës holandeze. Që të dyja janë të njohura si prodhuese talentesh prandaj pos dy yjeve tona, mund të shohim edhe lojë të bukur, të thjeshtë, me plotë talente tjera.
5. Fiorentina – Milan (e diel, ora 15n9)
Fiorentina nuk është ekip që di të dominoj. Më shumë përfiton nga paaftësia e kundërshtarit për të punuar mirë me top se sa nga ndonjë ndërtim i aksioneve. Shënojnë dhe janë deri diku të mirë në mbrojtjen e rezultatit. Reagojnë menjëherë pasi pranojnë golin dhe kur arrijnë qëllimin, dinë të kompozohen dhe të qëndrojnë ashtu.
Krejt ato që përmendem më lartë e bëjnë favorite ndaj Milanit. Kuqezinjtë kanë nisur të marrin një formë tjetër me Montellën, por jo medoemos është forma e përkryer, e aq më pak lojtarët e përkryer. Mbrojtja e rezultati dhe çarja e mbrojtjeve të ngjeshura gjithnjë ka paraqitur probleme për Milanin. Të shohim si do të shkojnë gjërat ë dielën në mbrëmje.