TREPÇA'89 1-1 BESA
Besa luan futboll, befason edhe Trepçën’89
1 May, 2021 @17:19
Skuadra e Besës së Pejës nuk ndalet duke mbajtur gjallë frymën e garave fer dhe korrekte në Superligë, pasi që përkundër se qysh në janar janë ç‘regjistruar nga elita - ata tashmë në dy xhiro rresht po kapin pikë.
Pas barazimit ndaj Dritës në ndeshjen e kaluar, sot djelmoshat e Labinot Krasniqit kanë kapur pikë edhe ndaj Trepçës’89 në Mitrovicë, ku vendasit u munduan shumë për të barazuar, në fund 1-1 [Arbnor Muja 64 - Diellor Beseni 20].
Besa shënoi shpejt golin e saj me një goditje nga futbollisti i shpresave të kombëtares, Diellor Beseni, që realizoi për 0-1 (20). Më pas gjithçka në fushë foli për Trepçën’89, por deri në fund të pjesës së parë, vetëm një rast që mund të përmendet, ai i Arbnor Mujës (42).
Në pjesë të dytë, nxënësit e Shpëtim Idrizit me posedim, derisa mysafirët prisnin ikjet dinake për kundërsulme. Muharrem Jashari tentoi nga largësia për vendasit (54), ndërsa Rron Braqi për mysafirët (61), para se Arbnor Muja të barazojë rezultatin.
Golashënuesi i mitrovicasve pati edhe një rast ideal 5 minuta pas golit. Por portieri i ri i Besës Haxhiaj përsëri është treguar vigjilent dhe mbrojti goditjen e tij për të siguruar pikë për ekipin, përkundër shtyllës së Mohamed Darwishit krejt në fund të ndeshjes.
Me pikën e fituar ‘89-shi mund të merr frymë lirshëm, vetëm deri në xhiron tjetër, pasi që s’ka siguri ende nga rreziku i rënies, e në anën tjetër për Besën që po luan me futbollistë të ri dhe perspektiv - diçka dihet - nëse mbahet pjesa dërrmuese e ekipit edhe në sezonin tjetër, këta djem do të kthehen ekspres në Superligë.