NË PEJË
Besa mposht Hajvalinë, titulli i Niklit
8 May, 2016 @17:11
Tre kartona të kuq dhe pesë gola të shënuara ka qenë bilanci i 90 minutave në “Shahin Haxhiislami” të Pejës sot.
Besa ka mposhtur Hajvalinë, 3-2, në një ndeshje ku kishin epërsinë 1-0, pastaj e humbën atë 1-2 dhe në fund e rikthyen.
Kastriot Rexha i dha epërsinë Besës që shpejt u përmbys nga Hajvalia kur Azem Ahmeti barazoi e Sergio da Luiz çoi në epërsi ekipin.
Pak para fundit të pjesës së parë Hajvalia mbeti me 10 lojtarë në fushë, kur Alban Dragusha pranoi kartonin e dytë të verdhë.
Më pas në pjesë të dytë, Diar Miftaraj barazoi në 2-2 rezultatin, ndërsa Alber Dabiqaj i Besës morri karton të kuq për të barazuar forcat në terren.
Në fund, sulmuesi më i mirë i Besës, Kastriot Rexha shënoi për fitoren e ekipit të tij, derisa Hajvalisë në ndërkohë i kishin mbetur 9 lojtarë në fushë, pasi që Liridon Leci u skuq.
Me këtë disfatë, Hajvalia tashmë nuk ka gjasa për të fituar titullin dhe kampion i Kosovës u bë përsëri Ferronikeli, derisa Besa mbetet në pjesën e epërme të tabelës.