PEJË
Besa sqaron suspendimet
16 September, 2014 @19:30
Besa e Pejës ka suspenduar katër futbollistë të saj për shkak se ata kanë refuzuar ti binden urdhërave të trajnerit dhe kanë nxitur bashkëlojtarët e tjerë të tyre për mosbindje.
Kjo ka shtyer kryesinë e klubit pejan që investoi shumë te skuadra t’i largojë përkohësisht nga skuadra 4 futbollistë të saj.
”...Janë gjetur fakte dhe janë dëgjuar dëshmi për disa sjellje të lojtarëve të cilat kanë ndikuar në situatën e pakëndshme dhe në rezultatet e dobëta të Besës. Është vërtetuar se disa lojtarë qëllimisht nuk kanë dhënë maksimumin e tyre në ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Disa lojtarë kanë rezistuar t’i binden urdhërave të trajnerit. U konstatua se disa kanë pasur sjellje të papranueshme dhe të papërmirësueshme në fushë të lojë. Bile, disa kanë pasur tendenca të ndikojnë edhe në politikat e klubit. Të gjitha këto kanë shtyer klubin që dje të suspendojë katër lojtarë dhe të tërheq vërejtjen për tre të tjerë,” është thënë në komunikatën e klubit të Besës së lëshuar në rrjetin social Facebook.
Besa në 5 xhirot e para të kampionatit ka arritur të shënojë vetëm një fitore, derisa ka regjistruar 1 barazim dhe 3 disfata, ku kjo e fundit ndaj Vëllaznimit ka mbushur kapakun.
E përditshmja Sport Plus ka bërë të ditur emrat e të suspenduarve dhe atyre të cilëve u është tërhequr vërejtja: Valmir Bytyqi, Fisnik Papuqi, Florent Papuqi dhe Shpëtim Zhara - janë të suspenduar, derisa Ilir Nallbani, Egzon Gashi dhe Mensur Duraku - kanë marrë vërejtjet e fundit.
Besa ka qenë ekipi i parë i Superligës që ka ndërruar trajner, kur që në xhiron e dytë ka zëvendësuar Valdet Shoshin me Arbnor Morinën.
Në xhiron e radhës, ekipi pejan në Shahin Haxhiislami pret Trepçën, që nuk din për pikë jashtë terrenit të saj.