PRISHTINË

Besa trondit Hajvalinë
5 April, 2015 @15:11
Besa e Pejës ka treguar dhëmbët në Prishtinë sot ndaj Hajvalisë. Ekipi i drejtuar nga Arbnor Morina me një lojë të bukur dhe duke i konkretizuar rastet ka shënuar tre herë për t’i lënë pa pikë të zgjedhurit e Ismet Munishit në fushë.
Dukagjin Gashi ia dha epërsinë pejanëve, nga gjuajtja e lirë në fillim të ndeshjes, derisa vendasit shumë shpejtë barazuan përmes sulmuesit të dalluar të tyre, Fillim Guraziu.
Mirëpo, një autogol i Semir Zenelit, i dha Besës pushim të qetë 15 minutësh.
Në pjesë të dytë derisa pritej një furi e Hajvalisë në portën pejane, këta të fundit përmes të transferuarit në janar, Mark Milicaj, qëllojnë portën e Hajvalisë për të siguruar fitoren e madhe dhe për tu ngjitur në vend të tretë të klasifikimit.
Besa tani ka 4 fitore pas 5 xhirove të zhvilluara në pranverë dhe gjindet 6 pikë larg kreut të tabelës, derisa Hajvalia ka regjistruar disfatën e tretë nën drejtimin e Munishit, që nuk priti fundin e ndeshjes pasi që u përjashtua nga referi Artan Tahiri, ndaj të cilit pati kritika në referim.