DYSHJA E RE, LË ZVICRËN PËR KOSOVËN
Betim Fazliji dhe Andi Zeqiri i thonë PO Kosovës
29 September, 2020 @0:03
Kosova do të vazhdojë të shtojë numrin e lojtarëve për ndeshjet e radhës të saja kualifikuese, ndërsa tashmë janë të konfirmuar edhe Betim Fazliji dhe Andi Zeqiri.
Fazliji 21 vjeç i lindur në Vranje që luan për St Gallenin në Superligë të Zvicrës i ka konfirmuar Kohës ditore se do të jetë pjesë e Kosovës tash e tutje dhe ai pritet që të aplikojë për leje në FIFA për të paraqitur për kombëtaren e Kosovës.
Ai është i rregullt te St Galleni dhe luan në pozitën e mesfushës me potencial edhe për të qenë pjesë e mbrojtjes, ku ka filluar të provohet tash me ekipin.
Betimi pritet që të bëhet pjesë e Kosovës prej muajit nëntor 2020.
“Zgjedhjen e kam bërë, do të luaj për Kosovën. Nëse çdo gjë ecën mirë, sipas planit, atëherë në nëntor do të bashkohem me Kosovën,” i ka thënë Fazliji Kohës.
Në anën tjetër, sonte në Supersport edhe babai i Andi Zeqirit konfirmoi planin e ardhjes së djalit të tij drejt Kosovës.
Zeqiri gjithashtu 21 vjeçar që u lind e u rrit në Lausanne të Zvicrës dhe luajti për këtë ekip që nga fëmijëria, ku shkëlqeu në stinorin e kaluar - është sulmues.
Ai ka shënuar 17 herë në 33 paraqitje për Lausannen në stinorin e kaluar, ndërsa tash po pret kalimin te ekipi i Premier Ligës, Brighton.
Andi është i rregullt për Zvicrën në grupmoshat e reja, duke nisur prej U17, U19 dhe tash në U21 ku edhe ka shënuar 7 gola për helvetët.