GJILANI 1-1 PRISHTINA
Betim Halimi hero i Prishtinës në derbi
7 November, 2021 @18:19
Prishtina ka shpëtuar pa humbje ndaj Gjilanit me dhjetë lojtarë në përballjen derbi të ditës së diel në kuadër të Superligës.
Edhe pse bardhekaltërit kampionë kanë pasur epërsinë nga pjesa e parë dhe kanë vazhduar mirë edhe në pjesë të dytë, ndërsa Gjilani mori karton të kuq kur Muhamed Useini del jashtë në minutën e 57 të ndeshjes, fitorja ishte shumë më afër për vendasit sot.
E Gjilani me të barazuar rezultatin në 1-1 përmes Gerhard Prognit nga penalltia, ka pasur edhe tri raste shumë të mira për fitore deri në fund të ndeshjes, kur Yll Hoxha, Gerhard Progni dhe Blerim Krasniqi tentuan për të shënuar, e në anën tjetër Betim Halimi u bë hero dhe shpëtoi Prishtinën me një pikë nga derbi.
Gjilani - Prishtina 1-1 [Gerhard Progni 66p. - Mendurim Hoti 31].
Gjilani ka nisur edhe më mirë takimin në fakt. Por gjithsesi Halimi ishte aty për të shpëtuar rastin e Prognit (8), derisa bardhekaltërit e drejtuar nga Zekirija Ramadani reaguan me Oto John që humbi rast ideal në portë dhe atë dy herë (9) dhe (11).
E pas një aksioni nga e majta, parregullsinë në zonë e shfrytëzon Mendurim Hoti i ardhur nga Feronikeli këtë verë për t’ia dhënë epërsinë Prishtinës (0-1, 31). Reagimi i menjëhershëm i Gjilanit, por Torrassa qëllon shtyllën! Pjesa e parë përfundon me epërsi të mysafirëve.
Në pjesë të dytë thellohen telashet për Gjilanin e Ismet Munishit, pasi që përjashtohet Useini (57). Endrit Krasniqi i Prishtinës, tenton të mbysë ndeshjen, por Gjilani shpëtoi pasi që goditja e Endritit u ndalë nga shtylla (59).
Vjen penalltia për Gjilanin. Progni i pagabueshëm (66) për barazim 1-1. Furishëm Gjilani tenton fitoren përkundër se të hendikepuar numerikisht në lojë. Rastet erdhën, një pas një, por asnjëra nuk kaloi Halimin në formë sot për përfundimtaren 1-1.
Barazimi i shtatë kampional i Gjilanit e lë atë në pozitë të dytë mbi Dritën me pikë të njëjta. Ndërsa Prishtina e gjashta, mbetet pas Llapit në renditje.