BILETA E FUNDIT
Bileta e fundit e Superligës, për Dritën
11 June, 2015 @19:14
Drita mbetet në Superligë. Ekipi gjilanas ka arritur të sigurojë epitetin e ekipit elit, duke mposhtur Flamurtarin pas penalltive.
Më meritor për fitoren e Dritës ka qenë Artan Latifi, portieri kapiten i gjilanasve, që ka mbrojtur dy penallti të rivalit në barazh për t’ia lehtësuar punën në fund, Ismet Ramushit që shënoi për të mbetur në elitë.
Ekipi i Dritës dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes. Raste kishin gjilanasit, por portieri i ri i Flamurtarit, Lirim Ajdini, ka mbrojtur raste të cilat çuan ndeshjen në vazhdime.
E vazhdimet ia nisën me epërsi të ekipit prishtinas. Pas një korneri, Alban Bojniku godet topin me kokë, që shkoi në portën e Artan Latifit, pa gjasë për tu mbrojtur.
Drita u mobilizua shpejtë dhe nxorri një penallti kur Përparim Osmani u rrëzua në zonë. Mensur Limani shutoi, Ajdini e devijoi topin, por jomjaftueshëm për të penguar golin dhe që në 15 minutëshin e parë të vazhdimeve, ndeshja ishte 1-1.
Në 15 minutëshin e dytë, rrjetat mbetën të paprekura dhe penalltitë vendosën ekipin që do të fitojë biletën e fundit për stinorin 2015/16 në Superligë.
PENALLTITË:
FLAMURTARI | DRITA | ||
Artan Rama | GOL | GOL | Mensur Limani |
Durim Qorri | pret Artan Latifi | Shtyllë | Përparim Osmani |
Granit Cana | pret Artan Latifi | GOL | Alban Shillova |
Leutrim Troshupa | jashtë portës | GOL | Ismet Ramushi |