MEDIA
Botërori 2022 nuk do të mbahet në Katar!
22 September, 2014 @13:10
Zyrtari i lartë i FIFA-së, Theo Zwanziger, ka thënë se Kampionati Botëror “Katari 2022” nuk do të mbahet në këtë vend aziatik.
Duke folë për Sport Bildin gjerman sot, njëri ndër anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së, Zwanziger, ka shprehur mendimin e tij personal për Botërorin e vitit 2022.
“Personalisht mendoj se Kampionati Botëror 2022 nuk do të mbahet në Katar. Mjekët thonë se nuk do të pranojnë përgjegjësinë e Botërorit në kushte të tilla klimatike,” ka thënë ish shefi i Federatës së Futbollit të Gjermanisë.
Organizatorët nga Katari kanë thënë se teknologjia do t’i mundësojë freski si në stadiume, zona stërvitore, zona për tifozë dhe vende tjera.
“Ata ndoshta do të freskojnë stadiumet, por Botërori nuk mbahet vetëm në stadium. Tifozë nga e mbarë bota do të udhëtojnë në temperatura tejet të larta, që mund të kërcënojnë jetën e secilit,” ka shtuar Zwanziger, transmeton Sport Bild në numrin e sotëm.
FIFA njëherë kishte menduar që të zhvendos datat e Botërorit 2022 për muajt e dimrit, pasi që gjatë verës, kur zakonisht mbahet Botërori, aty temperaturat mesatare kalojnë shkallën 45 të Celziusit.
FIFA dhe organizatorët e Botërorit 2022 nga Katari, janë gjithashtu në dyshim për korrupcion shkruan Eurosport, qysh se ky vend e fitoi të garën për organizim të Botërorit në vitin 2010.