SPURS - SOUTHAMPTON
Boxing Day nis me 7+, vëmendja te Kane
26 December, 2017 @15:09
Si zakonisht, duket që edhe sot në ‘Boxing Day’ do të ketë ndeshje me shumë gola të shënuara në Premier League.
Ndeshja e parë e ditës, e cila u zhvillua mes Tottenhamit e Southamptonit, u mbyll me plot 7 gola të shënuara, e në fund fitores iu gëzuan vendasit, me rezultatin final të takimit që shënoi 5-2.
Njeriu që ‘vodhi titujt e mediave’ ishte Harry Kane, i cili shënoi 2 herë në pjesën e parë, e më pas një herë tjetër në të dytën, për ta kaluar Alan Shearerin sa i përket golave të shënuara brenda një viti kalendarik në Premier League, si dhe për ta kaluar Leo Messin sa i përket golave të shënuara në vitin 2017. Anglezi Kane këtë vit e mbylli me 56 gola të shënuara në të gjitha garat me klub e kombëtare, dy më shumë se Leo Messi.
Gjithashtu, me hat-trickun e shënuar sot, Harry Kane bëhet lojtari i parë në histori të Premier Leagues që ka arritur të shënojë 6 hat-tricke brenda një viti kalendarik.
Kjo fitore bën që Tottenhami të ngjitet në vendin e katërt, mirëpo deri në fund të xhiros kjo mund të ndryshojë, varësisht nga rezultatet në ndeshjet e kundërshtarëve të Spursave.