GRUPI A

REUTERS
Brazili konfirmon forcën
22 June, 2013 @23:05
Brazilianët kanë vazhduar me formë të mirë në Kupën e Konfederatave. Me fitoren 4-2 sonte ndaj Italisë, ata kanë arritur të shënojnë edhe fitoren e tretë nga tre ndeshjet e Grupit A, për të vërtetuar formën e mirë dhe forcën.
Serinë e golave për kareokët e ka hapur futbollisti i Bayernit, Dante, disa sekonda para përfundimit të pjesës së parë, duke e futur në rrjet një top të dëbuar pas intervenimit me grusht të Gianluigi Buffonit.
Derisa me të hyrë në pjesën e dytë Emanuele Giaccherini barazoi pas një kombinimi të shpejtë, Buffon-Balotelli-Giacherini, ishte Neymar që nga gjuajtja e lirë shtangu Buffonin për 2-1.
Fred shënoi për 3-1, para se Giorgio Chielini të ulë epërsinë në 3-2 dhe të sinjalizojë ngjalljen e vonshme të azzurëve, por ka qenë përsëri Fred që në momentet e fundit të ndeshjes ka vulosur fitoren 4-2.
Brazili, kështu ka zënë pozitën e parë në Grupin A dhe në gjysmëfinale do të ndeshet me pozitën e dytë të Grupit B, që aktualisht është Nigeria, para ndeshjes me Spanjën.
Në anën tjetër Italia me shumë gjasa, nëse nuk ndodh befasi nesër, do të ndeshet me Spanjën në gjysmëfinale të Kupës së Konfederatave.
Brazili ka vazhduar me dominim ndaj Italisë. Fitorja e fundit e italianëve ndaj Brazilit ka qenë në vitin 1982 në Kupën Botërore!
Në ndeshjet tjetër të Grupit A, të eliminuarit, Japonia dhe Meksiko kanë zhvilluar ndeshjen e prestigjit, të cilën e fitoi Meksikoja 1-2 në saje të golave të sulmuesit të Manchester Unitedit, Javier Hernandez.
KUPA E KONFEDERATAVE, GRUPI A:
1 | Brazili | 9 pikë | ||
2 | Italia | 6 pikë | ||
3 | Meksikoja | 3 pikë | ||
4 | Japonia | 0 pikë |