FUNDI I EUROPIANIT PËR KUQEZINJTË
Buletini 14: Kthimi në atdhe
Buletini i 14 i EURO2016.
24 June, 2016 @8:20
PRITJA MADHËSHTORE
Ekipi kombëtar i Shqipërisë u prit si hero në rikthimin e tij në atdhe. Ata në aeroport i priti kryeministri, ndërsa nëpër rrugët e kryeqytetit mijëra qytetarë.
NËNSHKRIMI I AGOLLIT
Në hapësirët ku u vunë nënshkrimet nga ekipi kombëtar në Ministrinë e Jashtme, teksa pajiseshin solemnisht me pasaportat biometrike, ra në sy nënshkrimi karakteristik i Ansi Agollit. E nënshkrimi i tij më së miri u vërejt në këtë fotografi të Armando Sadikut.
AUTOBUSI NGA MAQEDONIA
Për festën e kuqezinjëve u kujdes ky autobus i ardhur enkas nga Maqedonia. Autobusi është pronë e një ndërmarrjes publike të Maqedonisë, ndërsa i njëjti është shfrytëzuar edhe nga përfaqësuesja e basketbollit maqedonas, e cila kishte shkruajtur histori duke marrë vendin e katërt në Eurobasketin e vitit 2011.
GASHI, SI GASHI
Postimi i Shkëlzen Gashit në Instagram, edhe kësaj radhe ka qenë i veçantë dhe më ndryshe nga të tjerët.
FOTOJA E DITËS NGA THE GUARDIAN
Fotografia e shkrepur nga fotografi Hektor Pustina, në pritjen solemne të ekipit kombëtar në Tiranë, ka qenë fotografia e ditës te mediumi i njohur britanik, The Guardian, ndërsa kjo pritje ka qenë lajm edhe për shumë media të tjera botërore.
EMOCIONET E CANËS
Momenti më emocional i ditës ishte ky i Lorik Canës, të cilit iu drejtua me një fjalim prekës kryeministri i Shqipërisë.
KTHIMI I ZBEHTË I TURQVE
Ndryshe nga kthimi madhështor i kombëtares shqiptare në atdhe, kthimi i kombëtares turke ishte krejtësisht ndryshe. Nga aeroplani privat që i ktheu futbollistët në Stamboll zbritën vetëm 6 lojtarë, derisa lojtarët e tjerët munguan pasi kishin zgjedhur destinacione të ndryshme. Përveç tyre, mungoi edhe pritja në aeroport e ndonjë numri të madh të tifozëve.
TRE VËLLEZËR, TRE SHTETE
Fotografia e postuar nga Granit Xhaka me mbishkrimin “3 vëllezër, 3 shtete, krenarë”, krijoi paksa huti për ata që nuk e dinin se kush ishte ky Xhaka i tretë. Në fakt, Graniti së bashku me vëllaun e tij Taulantin, e kishte përfshirë edhe kushëririn e tij të afërt, Agonin, që është reprezentues i grupmoshave të reja të Kosovës, duke e quajtur ate si “vëlla”.
I SHPËTUAN RONALDOS
Ballina sportive e gazetës The Sun, ka qenë mjaft kreative të enjtën pasi u mësua kundërshtari në 1/8 e finales së EURO 2016. Falë golit në minutat e fundit të Islandës ndaj Austrisë, Anglia i shpëtoi përballjes me Portugalinë, ndërsa për kundërshtar do ta ketë pikërisht Islandën.