PRISHTINA
Bylbyl Sokoli në krye të Prishtinës
7 July, 2014 @21:27
Bylbyl Sokoli është trajner i ri i skuadrës së Prishtinës. Trajneri i mirënjohur kosovar sot ka mbajtur seancën e parë stërvitore me ekipin, megjithëse marrëveshja me klubin është arritur në parim dhe nënshkrimi i kontratës pritet bëhet në ditët në vijim.
“Në parim jam marr vesh me udhëheqjen e klubit, pres të vijë nga Gjermania presidenti i klubit, Remzi Ejupi dhe do ta zyrtarizojmë marrëveshjen tonë. Nuk kam pasur ëndërr të punoj në asnjë klub, por ky është profesioni im dhe kam ardhur në Prishtinë që të punoj dhe të kryej detyrën siç e kam kryer në shumë klube të tjera. Kam punuar në klube të mëdha dhe të vogla, por që të gjitha për mua kanë qenë të njëjta, ndërsa sa kam pasur sukses tregojnë rezultatet e mia. Edhe “Plisave”, edhe simpatizuesve, futbolldashësve, udhëheqjes së klubit, gazetarëve dhe të gjithë tjerëve ju premtoj se do të bëjmë punë të palodhshme dhe normalisht, brenda mundësive, do të bëj punën siç e kam bërë në shumë klube, ashtu siç është më së miri,” ka thënë Sokoli duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë stërvitjes së sotshme, shkruan faqja zyrtare e klubit prishtinas.
Timonieri i ri i prishtinasve ende nuk ka vendosur se kush do të jenë ndihmësit e tij, ndërsa është thënë se trajnerët e deritashëm do të jenë akoma pjesë e Prishtinës.
Së fundi, trajner i bardhekaltërve ka qenë, Suad Keçi, i cili e zëvendësoi Afrim Tovërlanin që dha dorëheqje.