CELTICS - WARRIORS

Foto: celtics/fb
Celtics përmbys kampionin për të 14-tën me radhë
17 November, 2017 @8:54
Skuadra e Boston Celticsit tashmë ka arritur edhe fitoren e 14-të me radhë të stinorit.
Të gjelbërit kanë shënuar fitore impresive ndaj kampionit aktual, Golden State Warriors, në ndeshje ku Steph Curry & co. kishin epërsi 17 pikëshe.
MOTIVI I FITORES
Vendimtare në fitore është treguar të jetë performanca e Jaylen Brown në çerekun e tretë.
Dëshira e madhe e Brownit për fitore nuk kishte të bëj me serinë e fitoreve të ekipit të tij, e as që përballë kishin kampionin.
Jaylen luajti për shokun e tij më të ngushtë, Trevin Steede, që ndërroi jetë një natë para ndeshjes dhe fitoren ia dedikoi atij.
Brown përfundoi ndeshjen me 22 pikë e 7 asistime, ndërsa në çerekun e fundit u tregua vendimtar te gjuajtet e lira Kyrie Irving, që në ndeshje shënoi 16 pikë, 6 asistime dhe 5 kërcime. E krejt në fund, Jayson Tatum vulosi fitoren prej vijës së gjuajtjeve të lira.
Në fitoren 92-88 të Bostonit, double-double regjistroi Al Horford, që kreu ndeshjen me 18 pikë e 11 kërcime.
CURRY U NDALË NË 9 PIKË!
Te Warriors performanca e Kevin Durantit nuk u ndihmua si zakonisht nga Curry e Klay Thompson. Kampionit kështu iu prish seria prej 7 fitoreve me radhë.
Curry u ndalë në 9 pikë, ndërsa Thompson në 13, derisa Dray Green me 11 pikë e 8 kërcime si dhe Durant me 24 pikë, nuk mjaftuan për të vazhduar serinë e fitoreve të luftëtarëve.
Pas ndeshjes, Irving topin e lojës ia dha Brownit.
“Kyrie ma dha topin e ndeshjes dhe më tha, kjo ishte për Trevin. E falenderoj! Ishte shumë domethënëse,” tha pas fitores Brown.
Boston Celtics vazhdon të jetë lider i Konferencës Lindore në NBA me bilanc 14-2! Derisa Golden State Warriors tash ka bilanc 11-4 dhe renditet i dyti pas Houston Rockets.