MEDIA

Çështja: Kasami te kombëtarja?!
14 April, 2021 @14:53
Një bisedë që u ngrit në çështje dhe tashmë FSHF-ja duket se ka nisur analizat për këtë mundësi.
Aty ku shpesh lëngon kombëtarja shqiptare, mesfusha, mund të ketë një infuzion të rëndësishëm dhe me përvojë të jashtëzakonshme.
Pajtim Kasami, do të mund të luajë për kombëtaren shqiptare, pas ndërrimit të disa rregullave nga FIFA, për ndërrim të kombëtareve nga lojtarët.
Mëposhtë, po e sjellim sqarimin e Panorama Sport, shkruar nga Olsi Tujani, që analizoi çështjen Kasami dhe mundësitë e tij për të qenë ose jo pjesë e kuqezinjëve në vijim.
Pjesa e Panorama Sportit
LOJTARI — Gjithçka nis me dëshirën dhe vullnetin e futbollistit. Mesfushori 28-vjeçar ka dhënë dakordësinë e tij në parim për t’u veshur kuqezi. Gazeta ka mësuar se Kasami e ka lënë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar Shqipërisë në rast se FSHF do të zgjidhë të gjitha çështjet juridike. Ky është kushti i vetëm që ai ka vendosur për Shqipërinë, pra të zgjidhë çështjet juridike për ta.
MUNDËSITË — Kasami është një futbollist që ka luajtur me kombëtaren helvete të Zvicrës. Në 12 ndeshje prej tyre ka qenë në stol edhe kundër Shqipërisë në vitin 2013. Kjo në thelb përbën një nga pengesat thelbësore për Kasamin si kuqezi, mirëpo me ndryshimet e fundit të bëra në rregulloren e FIFA-s, ka edhe disa klauzola juridike që mund të përdoren për të marrë lejen në FIFA. Së pari, prej më se pesë vitesh ai nuk është ftuar në kombëtaren zvicerane. Ndeshja e fundit e Kasamit me Zvicrën daton më 29 mars 2016, në të cilën ka luajtur 72 minuta ndaj Bosnje-Hercegovinës. Së dyti, Kasami nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për ndryshim të kombëtares. Ky është një nga rregullat fikse në rregulloren e FIFA-s. Kësisoj, e ka ende të vlefshme këtë mundësi për ta ndryshuar ekipin kombëtar. Së treti, Kasami nuk ka luajtur me Zvicrën as në fazën finale të Europianit dhe as në atë të Botërorit. Një tjetër pikë domethënëse që nëse ka ndodhur, ia ndalon një futbollisti ta ndryshojë kombëtaren. Këto janë disa nga pikat ligjore në rregulloret e FIFA-s, që ia lejojnë Kasamit dhe Shqipërisë të mund të bëjnë kërkesë në FIFA që mesfushori i lindur në Zvicrë dhe me origjinë të familjes Strugën, të mund të provojnë betejën ligjore që në të ardhmen, Kasami të jetë një lojtar i gatshëm për Kombëtaren shqiptare.