KOMISIONI DISIPLINOR

Kryetari i ‘89-shit, i Ballkanit dhe trajneri i Gjilanit - në disiplinore, me gjoba
14 April, 2021 @11:15
Komisioni Disiplinor i FFK-së këtë fundjavë ka qenë aktiv sa i përket përcjelles së mediave të ndryshme dhe nga rastet e ngritura ka marrë disa vendime, prej të cilave edhe ka shqiptuar gjoba për personat e poshtëshënuar.
Kështu, kryetari i KF Trepça’89 Abedin Zeka është dënuar me 500 euro për shkak të akuzave pa fakte ndaj FFK-së në TV Dukagjini.
“Kryetari i KF Trepca’89, Abedin Zeka në emisionin sportiv të TV Dukagjin, me 04.04.2021, akuzon rëndë organet e FFK-se pa fakte, që është në kundërshtim me etikën sportive. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika c i Rregullores Disiplinore. Dënohet me të holla me shumë prej 500 euro. Afati i pagesës eshte 8-dite nga data e vendimit,” — shkruan komunikata.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, është dënuar me 500 euro për shkak të thyerjes së etikës sportive pasi që ka thënë se Prishtina kishte në favor të vetin referët në përballje ndaj ekipit të tij. Kjo në emisionin sportiv të ATV-së.
“Kryetrajneri i SC Gjilani, Ismet Munishi me numer të ID 009766M74. Në emisionin sportiv të ATV me 04.04.2021 deklaron se në ndeshjen FC Prishtina – SC Gjilani të javës së 26-të, FC Prishtina në favor të vetin kishte referet si (lojtarin e 12) dhe ndikuan në rezultatin përfundimtar të ndeshjes si dhe prejudikon sipas teorive të tij se kush do të bëhet kampion duke thyer etiken sportive. Bazuar ne nenin 40 paragrafi 1 pika c i rregullores disiplinore. Denohet me të holla me shumë prej 500 Euro. Afati i pagesës është 8-ditë nga data e vendimit,” — vazhdon njoftimi.
Ndërsa kryetari i Ballkanit Arsim Kabashi ka shpëtuar pa dënim në të holla, por me vërejtjen e fundit, për shkak se në ambientet e stadiumit ka ofenduar dhe kërcënuar referët e ndeshjes, pas duelit Ballkani - Prishtina.
“Kryetari KF Ballkani, Arsim Kabashi me numer ID 009626M85. Pas perfundimit të ndeshjes në mes të KF Ballkani – FC Prishtina e zhvilluar me date:04.04.2021, në ambientet zyrtare të stadiumit i ofendon dhe i kërcënon referet e ndeshjes. Bazuar ne nenin 52 paragrafi 1 pika a i Rregullores Disiplinore. I shqiptohet masa disiplinore vërejtje e fundit,” — bëhet e ditur në arsyetimin e KD-së.
Kjo nuk është hera e parë që FFK dënon akterët sportiv për fjalët e tyre nëpër media të ndryshme, kryesisht në emisione sportive.